Lajme

BE rrit ndihmën për refugjatët afganë deri në 235 milionë dollarë


Kreu i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi të martën se, Bashkimi Evropian (BE) do të rrisë ndihmën humanitare për refugjatët afganë deri në 200 milionë euro (235 milionë dollarë).

“BE do të rrisë mbështetjen humanitare për afganët, duke dhënë nga buxheti i saj, nga 50 milionë euro që kishte planifikuar në 200 milionë euro”, shkroi Ursula von der Leyen në median sociale Twitter.

Gjithashtu njoftoi se do të bëjë një njoftim zyrtar të martën vonë, në një takim të jashtëzakonshëm të drejtuesve të G7-s.

BE-ja tashmë ka dërguar 57 milionë euro ndihmë humanitare në Afganistan gjatë vitit 2021, ndërsa mbështeti refugjatët afganë në Pakistan dhe Iran me 22 milionë euro të tjerë, sipas Balazs Ujvari, zëdhënës i Komisionit Evropian.

“Kur vjen puna për të rritur angazhimin tonë humanitar për refugjatët afganë, nuk po përkushtohemi vetëm tek Afganistani. Vetëm një pjesë e shumës do të shkojë në Afganistan, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë në rajon, duke përfshirë vendet që presin numrin më të madh të refugjatëve”, tha ai.

Por Ujvari shtoi se ishte shumë herët për të dhënë detaje mbi shumat e sakta dhe destinacionet e tyre.

Ujvari gjithashtu konfirmoi se BE-ja është e gatshme të punojë vetëm me organizatat partnere, duke iu përgjigjur nevojave në terren.

“Ndihma humanitare nuk shkon tek qeveritë, nuk shkon tek grupet e armatosura. Gjithmonë shkon për OJQ -të, organizatat ndërkombëtare, veçanërisht Kombet e Bashkuara”, theksoi ai.

Më herët, presidentja e Komisionit Evropian ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) nuk i ka njohur talebanët dhe as nuk po zhvillon bisedime politike me militantët, një javë pasi ata morën kontrollin e Afganistanit.

Kreu i ekzekutivit të BE -së foli pasi vizitoi një qendër pritëse në Madrid për punonjësit afganë të institucioneve të BE-së, të evakuuara nga Kabuli.

Von der Leyen tha se do të propozonte rritje të ndihmës humanitare prej 57 milionë eurosh (67 milionë dollarë) që Komisioni kishte ndarë këtë vit për Afganistanin.

Çfarë ndodhi në Afganistan?

Të dielën e 15 gushtit talebanët mësyn në Presidencën e AfganistanitKështu ata morën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

Presidenti i vendit, Ashraf Ghani, u largua nga Kabuli, duke lënë popullin në duart e talebanëve.

Sipas tij largimi erdhi “për të shpëtuar kryeqytetin dhe qytetarët e tij nga gjakderdhja”.

Presidenti afgan ka theksuar se talebanët po përballen me një provë të re historike, ku ose do të mbrojnë emrin dhe nderin e Afganistanit ose do t’i japin përparësi vendeve dhe rrjeteve të tjera.

Ndërkohë përfaqësia talebane ka bërë thirrje për të lënë të qetë qytetarët në pronat e tyre.

“Emirati Islamik ka urdhëruar muxhahedinët e tij për të mos cenuar shtëpinë e askujt pa leje. Jeta, prona dhe nderi i askujt nuk duhet të dëmtohet. Ato duhet të mbrohen”.

Kështu shkruhej në llogarinë në Twitter të Suhail Shaheen, një prej zëdhënësve talebanë.

Sipas raportimeve mediatike nga Afganistani, policia e ka lënë detyrën dhe qytetarët janë të pambrojtur. Nga ana tjetër vendet perëndimore janë përpjekur të evakuojnë qytetarët e tyre.

Disa zona të kryeqytetit janë evakuuar tërësisht, ndërsa mesazhi i parë i talebanëve nga Presidenca, ka qenë ai i një qetësimi të masës dhe sigurim se shtetasit e huaj, nuk do të lëndohen.

Autoritetet në SHBA kanë filluar zyrtarisht tërheqjen e trupave nga Afganistani më 1 maj 2021, duke përcaktuar kështu fundin e “luftës”, siç e quajti presidenti amerikan Joe Biden.

SHBA dhe NATO kanë qëndruar në Afganistan për gati 20 vjet.

Kush janë talebanët?

Talebanët, ose “studentët” në gjuhën Pashto, u shfaqën në fillim të viteve 1990 në Pakistanin verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

Në shtator 1995 ata pushtuan krahinën e Herat-it, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë ata kapën kryeqytetin afgan, Kabul – duke përmbysur regjimin e presidentit, Burhanuddin Rabbani.

Deri në vitin 1998, talebanët kishin nën kontroll gati 90% të Afganistanit. Ndërsa forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA-të filluan tërheqjen nga Afganistani pas 20 vitesh lufte, talebanët nisën të merrnin nën kontroll vendin.

Marrë nga Anadolu Agency, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore