Lajme

KE: S’ka bisedime politike me talebanët, BE-ja nuk i njeh ata


Presidentja e Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen, të shtunën e 21 gushtit, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) nuk i ka njohur talebanët, as nuk po zhvillon bisedime politike me militantët, një javë pasi ata morën kontrollin e Afganistanit.

Kreu i ekzekutivit të BE -së foli pasi vizitoi një qendër pritëse në Madrid për punonjësit afganë të institucioneve të BE-së, të evakuuara nga Kabuli.

Von der Leyen tha se do të propozonte rritje të ndihmës humanitare prej 57 milionë eurosh (67 milionë dollarë) që Komisioni kishte ndarë këtë vit për Afganistanin.

Ajo tha se ndihma e zhvillimit të BE-së lidhet me respektimin e të drejtave të njeriut, trajtimin e mirë të pakicave dhe respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave.

“Ne mund t’i dëgjojmë fjalët e talebanëve, por do t’i masim ato me veprimet e tyre”, tha von der Leyen gjatë një konference për shtyp.

Gjithashtu u shpreh se KE-ja është gati të sigurojë fonde për vendet e BE-së që ndihmojnë në zhvendosjen e refugjatëve. Presidentja ka planifikuar të diskutojë çështjen e zhvendosjes, gjatë takimit të G7-ës, javën e ardhshme.

Pas 2015-s, kur më shumë se 1 milion emigrantë erdhën në BE, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku, BE -ja ka ulur numrin e emigrantëve falë një marrëveshje me Turqinë, e cila aktualisht pret numrin më të madh të emigrantëve në botë shkallë.

Çfarë ndodhi në Afganistan?

Të dielën e 15 gushtit talebanët mësyn në Presidencën e AfganistanitKështu ata morën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

Presidenti i vendit, Ashraf Ghani, u largua nga Kabuli, duke lënë popullin në duart e talebanëve.

Sipas tij largimi erdhi “për të shpëtuar kryeqytetin dhe qytetarët e tij nga gjakderdhja”.

Presidenti afgan ka theksuar se talebanët po përballen me një provë të re historike, ku ose do të mbrojnë emrin dhe nderin e Afganistanit ose do t’i japin përparësi vendeve dhe rrjeteve të tjera.

Ndërkohë përfaqësia talebane ka bërë thirrje për të lënë të qetë qytetarët në pronat e tyre.

“Emirati Islamik ka urdhëruar muxhahedinët e tij për të mos cenuar shtëpinë e askujt pa leje. Jeta, prona dhe nderi i askujt nuk duhet të dëmtohet. Ato duhet të mbrohen”.

Kështu shkruhej në llogarinë në Twitter të Suhail Shaheen, një prej zëdhënësve talebanë.

Sipas raportimeve mediatike nga Afganistani, policia e ka lënë detyrën dhe qytetarët janë të pambrojtur. Nga ana tjetër vendet perëndimore janë përpjekur të evakuojnë qytetarët e tyre.

Disa zona të kryeqytetit janë evakuuar tërësisht, ndërsa mesazhi i parë i talebanëve nga Presidenca, ka qenë ai i një qetësimi të masës dhe sigurim se shtetasit e huaj, nuk do të lëndohen.

Autoritetet në SHBA kanë filluar zyrtarisht tërheqjen e trupave nga Afganistani më 1 maj 2021, duke përcaktuar kështu fundin e “luftës”, siç e quajti presidenti amerikan Joe Biden.

SHBA dhe NATO kanë qëndruar në Afganistan për gati 20 vjet.

Kush janë talebanët?

Talebanët, ose “studentët” në gjuhën Pashto, u shfaqën në fillim të viteve 1990 në Pakistanin verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

Në shtator 1995 ata pushtuan krahinën e Herat-it, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë ata kapën kryeqytetin afgan, Kabul – duke përmbysur regjimin e presidentit, Burhanuddin Rabbani.

Deri në vitin 1998, talebanët kishin nën kontroll gati 90% të Afganistanit. Ndërsa forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA-të filluan tërheqjen nga Afganistani pas 20 vitesh lufte, talebanët nisën të merrnin nën kontroll vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore