Shqipëria

BE ofroi një plan të ri rritjeje për Ballkanin Perëndimor


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian i kanë ofruar një plan të ri rritjeje Ballkanit Perëndimor me Samitin e Berlinit në Tiranë.

Çka ka hapur pjesë të tregut të përbashkët të BE-së dhe reforma të thella përpara anëtarësimit në bllok për gjashtë vendet e rajonit.

Temat kryesore ishin integrimi i Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm dhe mbështetja e transformimit të tyre të gjelbër dhe digjital.

Zyrtarët e lartë të BE-së që morën pjesë ishin Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

Atyre iu bashkua edhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

Kurse presidenti francez Emmanuel Macron nuk iu bashkua samitit, për shkak të incidentit të fundit ku një mësues u godit për vdekje me thikë dhe tre persona u plagosën në një sulm në veri të Francës.

Por ai u përfaqësua nga Sekretari i Shtetit Laurence Boon.

Sakaq, vetë Macron do të ketë një vizitë zyrtare në Tiranë të hënën e ardhshme.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të integrimit në bllok.

Serbia dhe Mali i Zi ishin vendet e para të Ballkanit Perëndimor që nisën negociatat e anëtarësimit disa vite më parë, pasuar nga Shqipëria dhe Maqedonia vitin e kaluar, ndërsa Bosnja dhe Kosova kanë filluar vetëm hapin e parë të procesit të integrimit.

Sipas Scholtz, procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për të çliruar potencialin e plotë të bashkëpunimit rajonal, por edhe për të përshpejtuar integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka vënë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE në krye të agjendës së bllokut 27-vendesh.

BE-ja po përpiqet të ringjallë të gjithë procesin e zgjerimit, i cili ka ngecur që nga viti 2013, kur Kroacia u bë vendi i fundit që u bashkua.

BE-ja e bëri një kërkesë që Ballkani Perëndimor të reformonte ekonomitë dhe institucionet e tyre politike përpara se të anëtarësohej.

Ndërkohë, Von der Leyen ka përmendur një plan të ri rritjeje për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Bëhet fjalë për hapjen e rrugëve të reja tregtare në fusha të veçanta të tregut të përbashkët të BE-së për vendet e Ballkanit, si lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, transporti rrugor, energjia elektrike dhe tregu digjital.

Të gjashtë vendet duhet të zbatojnë reforma të shpejta që nga ana e tyre do të shoqërohen me investime.

Tashmë, BE-ja ka mobilizuar 16 miliardë euro për investime në rajon nga 30 miliardë euro të premtuara tre vjet më parë.

“Ne me të vërtetë duhet të shfrytëzojmë potencialin që është këtu në Ballkanin Perëndimor dhe ta afrojmë atë me tregun e vetëm evropian”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, gjashtë vendet duhet të lëvizin me reforma të rrënjosura për të përmirësuar klimën e biznesit, për ta bërë mjedisin rregullator më tërheqës dhe aksesin në tregjet e njëri-tjetrit.

Një mosmarrëveshje e ashpër midis Serbisë dhe Kosovës, mbetet një shqetësim i madh për BE-në.

Një dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ka ngecur, pas një shkëmbimi zjarri midis të armatosurve serbë të maskuar dhe policisë së Kosovës që la të vdekur katër persona dhe ndezi tensionet në rajon.

Ndërkaq, Scholtz i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të kthehen në tavolinën e bisedimeve, duke nënvizuar “nevojën urgjente për të punuar së bashku dhe për të kapërcyer antagonizmin”.

“Është koha për të kapërcyer konfliktet që kanë vazhduar për një kohë shumë të gjatë dhe që mbajnë vetëm dy vende prapa”, ka thënë ai.

Zyrtarët e BE-së u kanë kërkuar vendeve të Ballkanit që të kapërcejnë konfliktet rajonale dhe të qëndrojnë së bashku teksa Rusia po bën luftë në Ukrainë.

Nga ana tjetër, Michel u ka kërkuar vendeve që “të përmbushin angazhimet, duke filluar me reformat e nevojshme, dhe në BE, ne duhet të përgatitemi për të mirëpritur anëtarët e rinj”.

“E përsëris, për ta bërë këtë, besoj se duhet të jemi gati nga të dyja palët deri në vitin 2030 për t’u zgjeruar”, ka theksuar ai.

Po ashtu ka shtuar se kjo është “një inkurajim, një mbështetje për të dyfishuar përpjekjet tona”.

Marrë nga “Associated Press”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore