Lajme

BE: Numër rekord kërkesash për azil, 100 mijë aplikime vetëm në gusht


Në muajin gusht të vitit 2023, kërkesat për azil janë rritur në 100 mijë.

Çka ka shënuar një rritje prej 18 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2022, sipas analizës së fundit të publikuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA).

EUAA – duke marrë parasysh nivelin e lartë të nevojave për mbrojtje – ka sugjeruar që autoritetet e BE-së për azil të mbeten nën presion.

Këtë, duke rekomanduar që vendet të marrin masa për të trajtuar migracionin e parregullt.

Referuar të dhënave të EUAA, qytetarët e Sirisë dhe Afganistanit kanë formësuar kryesisht peizazhin e mbrojtjes ndërkombëtare në Evropë për disa vite.

Gjatë gushtit të këtij viti, sirianët dhe afganët kryesuan me përkatësisht 18 mijë dhe 11 mijë kërkesa për azil.

Në këtë drejtim, aplikimet siriane panë një rritje totale prej 53 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa aplikimet afgane mbetën relativisht të qëndrueshme.

Gjermania vazhdoi të mbante statusin e saj të spikatur si destinacioni kryesor për azilkërkuesit midis vendeve të BE+ në gusht 2023, duke marrë mbi 30 mijë aplikime, që përfaqësojnë 30 për qind të totalit.

Franca dhe Spanja numëruan rreth 13 mijë dhe 12 mijë aplikime përkatësisht, ndërsa Italia rreth 10 mijë aplikime.

Kurse Qipro mori pak më pak se 900 kërkesa për azil në gusht 2023, ose rreth një kërkesë për 1 mijë banorë.

Përveç kërkesave për azil, ka pasur edhe 4.2 milionë njerëz që përfitonin nga mbrojtja e përkohshme në vendet e BE+ si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Gjysma e atyre që morën mbrojtje të përkohshme ishin në Gjermani (1.1 milion) dhe Poloni (950 mijë).

Nga ana tjetër, Çekia priti afërsisht 35 përfitues për 1 mijë banorë, e ndjekur nga Estonia me 27 dhe Lituania me 26.

Sipas të dhënave të EUAA, në gusht 2023, shkalla e njohjes për aplikimet për azil ishte 44 për qind, duke treguar një rritje të lehtë nga muaji i kaluar.

Po ashtu është zbuluar se në fund të gushtit, mbi 720 mijë raste ishin në pritje të një vendimi në shkallën e parë në vendet e BE+.

Në përgjithësi, kombësitë që paraqesin më shumë aplikime kanë tendencën të kenë edhe numrin më të madh të çështjeve në pritje.

Gjatë të njëjtit muaj, sirianët (96 mijë) dhe afganët (73 mijë) kishin respektivisht pjesën më të madhe të çështjeve në pritje.

Gjithashtu shifrat e EUAA në maj kanë treguar se kërkesat për azil të dorëzuara në vendet e BE-së ishin mbi 87 mijë.

Çka ka shënuar një rritje të dukshme prej 25 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2022.

EUAA ka nxjerrë se rritja e kërkesave për azil rezultoi nga një numër në rritje i azilkërkuesve nga vende të ndryshme, kryesisht sirianë, afganë dhe shtetas turq, që kërkonin strehim në Gjermani dhe vende të tjera specifike të BE-së.

Marrë nga “Schengen Visa Info”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore