Shqipëria

BE njeh certifikatat shqiptare të vaksinimit


Bashkimi Evropian ka njohur zyrtarisht certifikatat shqiptare të vaksinimit ndaj COVID-19, të cilat cilësohen tashmë si të njehsuara me atë evropiane.

Lajmin e ka dhenë komisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Varhelyi, nëpërmjet një postimi në Twitter.

Përtej Shqipërisë, vendimi është marrë edhe për gjashtë vende të tjera. Andorra, Ishujt Faroe, Izraeli, Monaco, Maroku dhe Panamaja, përftojnë të njëjtat benefite si Shqipëria.

Një mundësi të tillë njohjeje, e pati paralajmëruar më 8 shtator ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Gjatë një inspektimi në një qendër spitalore, ajo pati thënë se certifikatat do të prezantohen si pjesë e integruar në sistemin evropian.

Sipas njoftimit të ardhur nga Komisioni Evropian, do të jetë pikërisht ky rasti, në të cilin përfiton Shqipëria. Pasaporta shqiptare e vaksinimit do të jetë ekuivalente me certifikatën evropiane të vaksinimit.

Nuk dihet nëse formati do të ndryshojë, por ai digjital mbetet në fuqi në Shqipëri.

Në tërësi, janë 42 vende pjesë e sistemit. Prej tyre, 15 janë jo anëtare të BE-së. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë të vetmet nga Ballkani Perëndimor, të përfshira deri tani në skemë.

Nëpërmjet këtij vendimi, shqiptarët që udhëtojnë drejt këtyre vendeve, falë certifikatës së vaksinimit, janë të përjashtuara nga kufizimet e vendosura. Vendet anëtare të unionit, nuk mund të vendosin masa shtesë mbi vendet e tjera pjesë të kartës.

Si funksionon certifikata e vaksinimit?

Çdo certifikatë vaksinimi, ka një kod QR, i cili mund të skanohet. Ky kod është i pafalsifikueshëm.

Shembull i një certifikate vaksinimi në Shqipëri

Në çastin kur kodi skanohet, ai bën menjëherë verifikimin nëse personi është ose jo i vaksinuar.

Të drejtën e lëshimit të tyre, e kanë vetëm organet kompetente të caktuara në çdo shtet. Nëpërmjet një databaze, ato ruajnë të dhënat dhe shpërndajnë certifikatat për njerëzit e vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.

Përtej vendit ku këto certifikata lëshohen, Komisioni Evropian ka krijuar mekanizma për njohjen tërësore të tyre. kështu, të dhënat mund të ruhen në një sistem më të gjerë të përbashkët midis shteteve.

Në tërësi, do të jenë momentalisht 700 mijë shqiptarë, të cilët përftojnë nga ky vendim. Ky është numri i shtetasve, të cilët kanë përfunduar plotësisht procesin e vaksinimit kundër COVID-19.

Më shumë se sa kaq ndërkohë, kanë marrë të paktën një dozë të njërës prej vaksinave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore