Lajme

BE-ja kërkon nga Serbia që t’i hapë dosjet sekrete, përfshirë arkivat e UDB-së


Parlamenti Evropian

Rezoluta e Fundit në Parlamentin Evropian për Serbinë i ka bërë thirrje Beogradit zyrtar që të rihapë dosjet sekrete të inteligjencës dhe strukturave të tjera të sigurisë që kanë operuar në të kaluarën, përfshirë këtu edhe arkivat e UDB-së.

Siç shpjegohet në Rezolutën, e cila u bë në bazë të versionit përfundimtar të Raportit të raportuesit të PE për Serbinë, Vladimir Bilçik, ky do të ishte një hap i mëtejshëm drejt demokratizimit të Serbisë.

Ekspertët ligjorë serbë kanë thënë për gazetën serbe Danas – jo zyrtarisht – se nuk janë të befasuar nga fakti që ky segment për dosjet është përfshirë në Rezolutë, “sepse Brukseli zyrtar u ka bërë thirrje autoriteteve Serbe për ta bërë këtë për vite me radhë”.

Sipas burimeve të Danas, nuk duhet të pritet që skedarë të tillë do të jenë në dispozicion të publikut në të ardhmen e afërt, “duke pasur parasysh rezistencën që ekziston në strukturat aktuale të sigurisë dhe informacionit për ta bërë këtë”.

Për hapjen e dosjes ka kërkesa edhe nga faktorë të brendshëm në Serbi, siç është, Aleksandar Cotriç, nënkryetari i Lëvizjes Rinovuese Serbe.

Ai ka kërkuar të miratohet një ligj “mbi hapjen e dosjeve të shërbimit sekret”.

“Një ligj i tillë është një kusht i domosdoshëm për pranimin e Serbisë në BE dhe siguron që të përballemi me një të kaluar totalitare dhe autoritare, që personat përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut të sanksionohen dhe që krimet e shtetit kundër qytetarëve nga e kaluara të mos përsëriten kurrë”, ka thënë Cotriç.

Ai, si deputet, ka propozuar edhe një ligj i cili merr “parasysh përvojat më të mira të ish vendeve komuniste”.

Eurodeputetët kanë edhe një shqetësim tjetër me Serbinë. Lidhjen që po forcohet të shteti serb me Kinën dhe ndikimit që ka fituar shteti aziatik.

“Sa i përket segmentit që lidhet me politikën e jashtme të Serbisë, eurodeputetët nuk e fshehin shqetësimin e tyre për forcimin e ndikimit të Kinës në Serbi, si dhe për ‘vazhdimin’ e mbështetjes serbe për Rusinë në kontekstin e aneksimit të Krimesë, e cila ishte e paligjshme në sytë e BE-së”, shkruan Danas.

Hapja e dosjeve të regjimit serb dhe shërbimeve të tyre sekrete do të zbulonte edhe shumë vrasje të shqiptarëve të Kosovës, bërë në periudha të ndryshme.

Ka veprimtarë të shumtë, siç është Ukshin Hoti, që në rrethana të dyshimta janë zhdukur dhe vrarë prej vitesh dhe ende dihet shumë pak për operacionet sekrete serbe që çuan në vrasjen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore