Lajme

BE-ja është bashkuar për Kosovën dhe Serbinë – Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen për BE-në


Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak

Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian të cilët janë në qendër të vëmendjes dhe gëzojnë mbështetjen e kryeqyteteve evropiane për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, më 18 mars në Ohër do të bëjnë përpjeket e tyre për të arritur deri te një marrëveshje historike.

Propozim-Marrëveshja franko-gjermane është lexuar si një mbështetje thelbësore për Lajçak’un si ndërmjetësuesi kryesor sepse kjo është shenjë se ai nuk përfaqëson vetëm institucionet evropiane dhe përfaqësuesin e lartë Borrell, por po ashtu përfaqëson dy vende që s’e njohin Kosovën.

Kjo gjë është një ndër simbolikat më të fuqishme në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit aktualisht, duke pasur parasysh se një nga kritikat kryesore ndaj Lajçak’ut ishte se ai bashkë më Borrell’in vijnë nga dy vende që nuk e njohin Kosovën – Spanja dhe Sllovakia.

Lajçak nuk ndërmjetëson si politikan sllovak dhe Borrell nuk është përfaqësues i lartë si politikan spanjoll. Të dy janë përfaqësues të BE-së. Ata mund të kritikohen personalisht për rolin e tyre në të shkuarën, por ky nuk është kapaciteti i tyre aktual. Përkundrazi, të dy janë të njohur si profesionistë të politikës së jashtme.

Plani i paraqitur në kornizën e re për “Parimet themelore të procesit të normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë”, të cilin e ka siguruar Albanian Post, tregon për “një proces të mbështetur nga të gjithë 27 shtetet anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën si shtet”.

Investimi i hapur i Gjermanisë dhe Francës që në mandatin e Lajçak’ut të arrihet te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet palëve është shenjë se ai nuk është një ndërmjetësues i izoluar që nuk ka mbështetjen e vendeve që e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Është një produkt politik i veçantë dhe një kompromis i sinqertë i brendshëm i të gjitha shteteve te BE-së – i pranueshëm edhe nga shtetet anëtare që e njohin dhe ato që nuk e njohin Kosovën si shtet”, thuhet në non-paper të siguruar nga AP.

Vetë diplomati sllovak gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë nënvizoi se “vëmendja lidhur me këtë proces është e jashtëzakonisht e lartë, mbështetja është jashtëzakonisht e lartë dhe uniteti është i paprecedent”.

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë” dhe ky nuk është qëndrim i Josep Borrell’it apo Miroslav Lajçak’ut, por përfaqëson “kompromisin e brendshëm e të sinqertë të shteteve të BE-së”.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi. Krejt varet nga gatishmëria e Kurtit dhe Vuçiç’it për të bërë kompromise.

Ekskluzive, shënimet kritike të Marrëveshjes: Kosova dhe Serbia respektojnë vijat e kuqe, mundësojnë kompromisin, pranojnë marrëveshjen, fitojnë rrugë evropiane dhe mbështetje financiare – ndryshe, izolohen krejtësisht

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore