Lajme

BE-ja do të kërkojë uljen e konsumit të gazit me 15%, sipas Bloomberg


Bashkimi Evropian do t’u kërkojë vendeve anëtare të ulin konsumin e tyre të gazit natyror me 15 për qind nga muaji i ardhshëm.

Kjo, mes frikës se Rusia mund të ndërpresë furnizimin.

Lajmi u bë i ditur nga “Bloomberg”, duke cituar burimet e saj.

Ky synim do të përfshihet në një rregullore që do të shoqërojë planin “Kursimet e gazit për një dimër të sigurt” për të ulur kërkesën, të cilin Komisioni Evropian do ta publikojë të mërkurën.

Rregullorja do t’i japë komisionit të drejtën për të shpallur një alarm në mbarë BE-në kur ekziston një rrezik i konsiderueshëm i një mungese serioze të ofertës ose një rritje e mprehtë e kërkesës.

Masa do të kërkojë miratimin nga vendet anëtare, të cilat Komisioni mund t’i ftojë që në fillim të javës së ardhshme.

Kjo, gjatë një takimi urgjent të ministrave të energjisë.

Sipas diplomatëve, një grup i madh vendesh kundërshtojnë shkurtimet e detyrueshme, duke argumentuar se qeveritë kombëtare tashmë kanë plane emergjence.

Ata do të ulin kërkesën pavarësisht nëse u kërkohet ta bëjnë këtë nga BE-ja.

Referuar tre diplomatëve të BE-së, kufizimet vullnetare nuk do të jenë të mjaftueshme.

Deri në 1.5 për qind të PBB-së të rajonit mund të rrezikohet në rast të një dimri të ashpër, sipas një vlerësimi paraprak të komisionit të parë nga Bloomberg.

Komisioni supozon se Rusia nuk do të rifillojë furnizimin e plotë përmes gazsjellësit Nord Stream 1, i cili është mbyllur që nga fillimi i këtij muaji për riparime.

Para fillimit të riparimeve, tubacioni funksiononte me kapacitet rreth 40 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore