Aplikacione

BE i kërkon Meta-s të godasë përhapjen e dezinformatave mbi Izrael-Hamas


Bashkimi Evropian e ka paralajmëruar shefin e Meta-s, Mark Zuckerberg, për përhapjen e dezinformatave në platformat e mediave sociale pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

Tanimë kompania, e cila zotëron Facebook-un dhe Instagram-in, “ka 24 orë” afat për t’u përgjigjur dhe për të respektuar ligjin evropian.

Firmat e mediave sociale kanë pasur rritje të dezinformatave rreth konfliktit, duke përfshirë imazhe të modifikuara dhe video të etiketuara gabimisht.

BE-ja ka paralajmëruar më herët edhe platformën X, në pronësi të Elon Musk, për përmbajtje të tilla.

Shefi i industrisë së bllokut, Thierry Breton, i ka thënë kompanisë Meta se duhet të provojë se ka ndërmarrë “veprim në kohë, të zellshëm dhe objektiv”.

Ai ka theksuar se firma ka 24 orë për të treguar për masat “proporcionale dhe efektive” që ka marrë për të kundërshtuar përhapjen e dezinformatave në platformat e saj.

Sakaq, një zëdhënës i Meta-s ka thënë se pas sulmeve terroriste nga Hamasi në Izrael të shtunën, kompania ka krijuar një qendër operacionesh speciale me ekspertë, duke përfshirë folës të rrjedhshëm hebraisht dhe arabisht, për të monitoruar nga afër dhe për t’iu përgjigjur kësaj situate që po evoluon me shpejtësi.

“Ekipet tona po punojnë gjatë gjithë kohës për t’i mbajtur platformat të sigurta, për të ndërmarrë veprime për përmbajtjen që shkel politikat ose ligjin lokal dhe për të koordinuar me kontrolluesit e fakteve të palëve të treta në rajon për të kufizuar përhapjen e dezinformatave”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Komisioni Evropian u ka rikujtuar të gjitha kompanive të mediave sociale se atyre u kërkohet ligjërisht të parandalojnë përhapjen e përmbajtjes së dëmshme në lidhje me grupin militant palestinez Hamas, i cili është një grup terrorist i ndaluar në BE.

“Përmbajtja që qarkullon në internet që mund të lidhet me Hamasin kualifikohet si përmbajtje terroriste, është e paligjshme dhe duhet të hiqet si në Aktin e Shërbimeve Digjitale ashtu edhe në Rregulloren e Përmbajtjes Terroriste në internet”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit.

Prindërve hebrenj u kërkohet të fshijnë mediat sociale nga telefonat e fëmijëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore