Lajme

BE dhe UNDP pezullojnë renovimin e shtëpisë së Xhafer Devës


Shtëpia e Xhafer Devës

Bashkimi Evropian në një komunikatë të përbashkët për media me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë bërë të ditur se janë tërhequr nga renovimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë kështu duke kërkuar falje për çfarëdo ofendim të paqëllimshëm.

Në reagimin e përbashkët mes tjerash thuhet se synimi i projektit ka qenë gjithmonë të bashkojë komunitetet dhe të kontribuojë në kohezionin social duke përdorur trashëgimin kulturore si një instrument për dialogun ndërmjet komuniteteve.

“UNDP dhe Bashkimi Evropian dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e shumta të tij, duke përfshirë rritjen e intolerancës dhe fanatizmit ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Hajrullah Çeku

Ndryshe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  Hajrulla Çeku, është shprehur i vendosur për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, përkundur reagimeve të shumta për këtë çështje, duke u shprehur i habitur se si krejt papritur kjo temë u shndërrua në “çështje shqetësuese”.

Çeku ka potencuar se është i befasuar edhe me reagimin Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, pasi ky i fundit shkroi se Xhafer Deva ishte “një bashkëpunuesi/protagonisti të njohur me nazistët i grupit famëkeq SS Skanderbeg”, dhe se nuk duhet të “shpërlahet historia”.

Sipas tij, përzgjedhja e këtyre monumenteve është bërë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Askush nuk është kundër fakteve historike, ato duhen thënë zëshëm dhe pa asnjë rezervë, para se gjithash nga profesionistët. Mirëpo, kundërshtimi i restaurimit duke u thirrur në narracionin historik është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, shkroi në Facebook Çeku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore