Përballje

Batatina: Nuk na mposhti Gjilani por gjyqtarët


Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pati kritika të ashpra pas ndeshjes që ekipi i tij e humbi përballë Gjilanit me rezultat 2:1, ndeshje kjo e zhvilluar në kuadër të xhiros së shtatë në Superligën e Kosovës.

Ai akuzoi direkt gjyqtarët e takimit për humbjen e shkaktuar, duke thënë se skuadra e Gjilanit nuk e ka mposhtur ekipin e tij.

“Mendoj që Gjilani nuk e fitoi lojën, por Mentor Ajeti me ekipin e vet. E pamë nga fillimi që është kundër Llapit dhe dëshiron me çdo kusht të na mposhtë. Bëri çdo gjë për të ardhur te zona dhe ta akordojë penallti”, tha fillimisht trajneri Batatina.

“Janë bërë shumë ndeshje dhe VAR-i siç duket dëshiron ta bën Gjilanin kampion. Kush e ka pa sot futbollin, e ka vërejtur që çdo vendim ka qenë kundër Llapit”, shtoi trajneri i Llapit.

Gjithashtu ai akuzon edhe krerët e futbollit në Superligë, duke thënë se ndeshjet e tilla duhet të gjykohen nga gjyqtarë më me përvojë.

“Nuk është me rëndësi a fiton Gjilani a Llapi, por niveli i Kosovës që i qesin fëmijët që nuk i kanë as dy lojë në Superligë dalin të referojnë një derbi sikurse ky. Ekspertët gjyqtarë po vendosën në VAR-i dhe ky në fushë, nuk pranohet”.

“Nuk është e mirë na dëmtojnë në këtë formë. Dëshirojmë që të na gjykojnë ndeshjen gjyqtarë me stema të UEFA-s, që edhe nëse gabojnë e dimë që nuk ishte me qëllim”, tha mes tjerash Batatina.

Sa i përket takimit, skuadra e Llapit ishte duke fituar në pjesën e parë me rezultat 0:1, derisa në minutën e 64-të Kushtrim Shabani i Llapit u ndëshkua me karton të kuq, i cili bëri që gjërat të shkojnë në favor të Gjilanit.

Vetëm një minutë më von, vendasit barazuan rezultatin, kurse goli i fitores për gjilanasit erdhi në minutën e 86-të.

Kujtojmë që skuadra e Llapit po kalon momente shumë të vështira në këtë fillim të sezonit të Superligës.

Fituesi i Kupës dhe Superkupës së Kosovës në edicionin e kaluar, aktualisht pozicionohet në vendin e fundit në tabelë me vetëm tri pikë të grumbulluara.

Ndeshjen e radhës llapjanët do ta zhvillojnë në shtëpi, ku e presin Dukagjinin më 3 tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore