Shqipëria

Basketbolli në institucionet arsimore, FSHB nënshkruan memorandumin me KOKSH


Presidenti i KOKSH dhe Presidenti i FSHB firmosin Memorandumin e Bashkëpunimit për projektin “Ekipet Sportive 2022”.

Në kuadër të projektit “Ekipet Sportive 2022”, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), Avni Ponari firmosën Memorandumin e Bashkëpunimit, për të bërë të mundur nisjen e këtij projekti, që do të rrisë cilësinë e sportit të basketbollit në të gjitha shkollat e Shqipërisë, 9-vjeçare, gjimnaze dhe universitete.

Gjatë firmosjes së protokoll-marrëveshjes të pranishëm ishin dhe Sekretari i Përgjitshëm i KOKSH, Gerti Shima dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHB, Korab Llazani.

Në fjalën e tij, Presidenti i KOKSH bëri me dije se së shpejti do të fillojë dhe procesi i trajnimit të trajnerëve të basketbollit, në të gjithë Shqipërinë.

Më tej, Presidenti Ylli tha se një nga qëllimet kryesore të këtij projekti është dhe zgjedhja me detyrim e një sporti në shkollë, në mënyrë që të rinjtë të jenë më afër frymës sportive.

Ndërsa, Presidenti i FSHB u shpreh se marrëveshje të tilla bashkëpunimi ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të sportit të basketbollit në ambientet shkollore, si dhe në gjetjen e talenteve të reja, të cilët kanë mundësi të bëhen lojtarë elitarë në të ardhmen.

Ylli tregoi gjithashtu se të gjitha eventet e projektit prej 5 milionë dollarësh do të transmetohen “live”, në çdo platformë digjitale nga çdo cep i Shqipërisë.

Risi do të jetë dhe një aplikacion për telefona celularë, ku të rinjtë do të mund të shohin në kohë reale, përballjet e moshatarëve të tyre, nga çdo cep i Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore