Shqipëria

Basha: Turizmi do të rrisë ekonominë nga 8 në 10%


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka prezantuar  programin për turizmin.

Sipas kryedemokratit, turizmi është baza e ekonomisë, por është lënë pas dore.

“Në vendet e ballkanit lulëzon industria e tyre e turizmit. Ndërsa niveli  punësimit në industrinë e turizmit, në Shqipëri, të ardhurat mesatare nga turistët dhe kohëzgjatja e sezonit turistik, janë të ardhurat më të ulëtat në rajon”.

Basha u shpreh se muajt e fundit kanë punuar me specialistët më të mirë në industrinë e turizmit, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga bota, për t’i sjellë Shqipërisë një plan pune konkret që do të ndryshojë të ardhmen e turizmit shqiptar.

“Angazhohem se angazhohem se ne do ta trajtojmë turizmin si një projekt madhor kombëtar. Çdo projekt i lidhur me turizmin, çdo investim i lidhur me të, do të marrë përparësi nga qeverisja jonë. Kjo është rruga për ta vendosur Shqipërinë të parën”.

Kryedemokrati gjithashtu u shpreh se do të rrisin kontributin e drejtëpërdrejtë nga turizmi në ekonominë e vendit nga 8 në 10%, si dhe do të dyfishojnë kontributin në punësim nga rritja e turizmit në ekonomi 40 mijë në 80 mijë vende pune.

“Angazhohem të punoj për të rritur kohëzgjatjen e sezonit turistik, përmes diversifikimit të ofertave turistike: bregdetare, malore, rurale, kulturore.
Kështu ne do të dyfishojmë kohën e qëndrimit të turistëve të huaj në vendin tonë”.

Basha shtoi se si rrjedhojë e këtyre masave do të angazhohen të rrisin numrin e turistëve të huaj me 15% në vit.

Arben Kashahu dhe Ariana Çela prezantojnë pika të programit për turizmin

Në prezantimin e programit të turizmit, së bashku me kryedemokratin ishin edhe sekretari për Çështjet e Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike (PD), Arben Kashahu dhe ekspertja e PD-së Ariana Çela.

Kashahu u shpreh se në vitin 2019, industria e udhëtimit dhe turizmit kontribuonte me rreth 1/5 e prodhimit përgjithshëm bruto (PPB)  dhe të ardhurat nga vizitorët e huaj kontribuonin në pothuajse gjysmën e eksporteve në Shqipëri.

“Niveli i punësimit në industri në fund të vitit 2019 është 4.15% e totalit. Ai është më i ulti në rajon, është më pak se gjysma e Malit të Zi. Impakti i turizmit në ekonomi është i paoptimizuar.
Të ardhurat mesatare për turistë prej 397$ janë më të ulta në rajon”.

Gjithashtu ai tha se kohëzgjatja e sezonit turistik është sa gjysma e të gjitha vendeve fqinje duke shpërdoruar të gjitha burimet njerëzore, natyrore e kulturore në vend.

“Indeksi i konkurencës së industrisë së turizmit e rendit Shqipërinë në vendin e 86-të në vitin 2019. Për konkurencën e çmimeve, kryesisht lidhur me koston e të udhëtuarit renditet në vendin e 89-të. Lidhur me cilësinë e infrastukturës, Shqipëria renditet në vendin e 88”.

Ndërsa, Çela përpos të tjerave tha se do të investohet në infrastrukturën e energjisë elektrike, ujit e të trajtimit të mbetjeve e ujrave të ndotura në destinacione turistike kulturore, veçanërisht malore e rurale të Shqipërisë veriore, verilindore e juglindore.

“Do të investohet në sinjalistikën e nevojshme të destinacioneve turistike, vecanërisht për ato kulturore, malore e rurale. Do të ulim TVSH-në për të gjithë operatorët në industrinë e turizmit në masën 6%”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore