Shqipëria

Basha sfidon Berishën: Të votojmë veting-un për politikanët, e të tregojmë kush është “peng”


Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sfiduar ish-kryeministrin Sali Berisha pasi ky i fundit e akuzoi se është shndërruar në funksion të kryeministrit Edi Rama.

“Koha është ilaçi më i mirë. Dhe koha e rrëzoi malin e gënjeshtrave që ngriti para shqiptarëve ai që kërkon me çdo kusht e mjet të mbajë peng PD për interesat e veta personale.
Që ti japim fund baltosjes, që të tregojmë kush është i korruptuar e kush jo, kush është peng e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, le të votojmë vetingun për politikanët”, shkruan Basha.

Sipas tij, transparenca duhet të nisë fillimisht nga ai e më pas të gjithë ata “që sot e 32 vite mbajnë peng Shqipërinë”.

Në konferencën e përjavshme, Berisha tha para gazetarëve se Rama e pret fletë-arrestin kur të dojë për Lulzim Bashën.

“Unë shpresoj se me grupin tjetër, ne do gjejmë mirëkuptim të plotë. Sepse ata, siç e kam theksuar, kanë mbajtur qëndrim të drejtë dhe parimor ndaj primareve. Ky qëndrim është qëndrim ndaj një parimi themelor të PD. Kurse me pengun e Edi Ramës, vetëm kur të pranojë Edi Ramën në koalicion, apo në bashkëpunim, mund të pranojë pengun e tij”, theksoi Berisha.

Për ish liderin e selisë blu, Basha është “në një mision si peng i vërtetë, si një njeri që Edi Rama kur të dojë i pret fletën e arrestit me afat burgimi minimumi 6-vjeçar”.

“Ai e ka zhveshur veten për shkak të frikës që ka nga burgu dhe është shndërruar në një vegël të verbër të Edi Ramës”, vijoi Berisha akuzat ndaj Bashës.

E zgjidh vettingu politik i Bashës çështjen e korrupsionit te zyrtarët e lartë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore