Shqipëria

Basha premtime gjimnazistëve


Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ditën e hënë, gjatë një takimi me një grup gjimnazistësh, diskutoi mbi problematikat që ka sistemi arsimor në vend.

Ikja e të rinjve, tarifat e studimit dhe siguria në shkolla për shkak të koronavirusit ishin disa nga shqetësimet që gjimnazistët e kryeqytetit i parashtruan Bashës.

Mes të tjerash, problem për gjimnazistët është edhe niveli i shkollave profesionale.

Sipas tyre arsimi profesional ka dështuar të tërheqë nxënësit.

Për këtë kryetari i PD tha se “rruga e vetme për të bërë tërheqës arsimin profesional është investimi”.

Basha premtoi se ndër masat e para të qeverisë së PD-së në pushtet, do të jetë siguria në shkolla, ndërsa solli në vëmendjen edhe propozimet e opozitës për pandeminë.

Një tjetër premtim i Bashës për të rinjtë ishte dhe zerimi i tarifave të studimit për 90% të studentëve.

“Heqje e tarifave të Bachelor e Master për studentë me të ardhura të ulëta. Do të zerojmë tarifat e studimit për 90% të studentëve. Programi ynë për arsimin e lartë është që asnjë i ri apo e re të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësisë ekonomike”, deklaron Basha.

Lulzim Basha ka nisur një fushatë të vogël para zgjedhjeve të 25 prillit dhe po përdor si një strategji takime me të rinjtë e vendit. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore