Shqipëria

“Baruti” i fuçisë së Ballkanit Perëndimor


Lufta në Ukrainë ka rikthyer hijet e trazirave në Ballkanin Perëndimor – e jo vetëm.

Pushtimi rus tronditi edhe një herë aspektet e sigurisë së brendshme dhe të mbrojtjes të shumë vendeve të Evropës.

Që nga fqinjët e Rusisë, si: Estonia, Finlanda apo Suedia.

E deri te “të fqinjësuarit” e saj, si Serbia, në një rajon që ka përjetuar gjenocide dhe krime njerëzore gjatë viteve ‘90.

Veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë.

Në vitet që pasuan aneksimin e Krimesë, vendet e rajonit nuk do të përfshiheshin në planin paraprak të masave të NATO-s apo BE-së.

Ballkani Perëndimor dukej i vendosur “në plan të dytë”.

Në vitin 2014, NATO do të ngrinte katër grupe luftarake të “Pranisë së Përparuar” në Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni, si kundërpërgjigje ndaj aneksimit të Krimesë nga Federata Ruse.

Tetë vite më vonë, NATO do të përsëriste të njëjtin plan kundër agresionit rus.

Në shkurt të 2022-shit, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg do të dilte me një plan të ri për katër grupe luftarake shumëkombësh, përcjell Albanian Post.

Kësaj radhe, në Evropën Juglindore.

Në të planifikohej vendosja e rreth 1 mijë trupave në Bullgari dhe Rumani, ndoshta edhe në Sllovaki dhe Hungari.

Tashmë që lufta e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në muajin e saj të dytë, një ndjenjë e thellë shqetësimi është zhvendosur nga vendet fqinje në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Shpesh i cilësuar si “fuçia e barutit” në Evropë, Ballkani mund të kthehet në një burim të ri trazirash.

Kjo, për shkak të qëndrimit “rus” në qasjen e Serbisë ndaj Bosnjës dhe Kosovës.

Ndikimi rus

“Sot, ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor mbetet i fortë”.

Kështu shkruan Dejana Saric dhe Pierre Morcos në publikimin e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).

Investimi ekonomik i Rusisë në rajon, sipas tyre, shkruan Albanian Post, është fokusuar në sektorë strategjikë si energjia.

“Federata ruse ka kapitalizuar sistemet e patronazhit dhe korrupsionit partiak”, shkruan CSIS.

Në vitet e fundit, Rusia gjithashtu ka forcuar lidhjet e saj ushtarake me Serbinë, duke i shitur asaj armë, aeroplanë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Por është besimi i Rusisë dhe kundërshtimi i saj i vazhdueshëm ndaj pavarësisë së Kosovës që ka formuar themelin për “fuqinë e saj të butë” në rajon.

Kjo i ka hapur rrugën ndikimit rus që të depërtojë fuqishëm në Serbi, Bosnjë dhe Mal të Zi, ku segmente të rëndësishme të politikës janë fort pro-ruse.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, shkruajnë autorët, tubime pro-ruse janë shfaqur në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë.

Këto grupe e shohin Rusinë si rikuperuese të tokës që është, me të drejtë, e tyre, ashtu siç do të dëshironin ta shihnin Kosovën “të rikthyer” në Serbi.

Vetë Putin-i shpesh ka përdorur shembullin e Kosovës si justifikim për aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe inkursionet e saj në Donetsk dhe Luhansk.

Saric dhe Morcos sjellin shembullin e Malit të Zi, ku agjentët rusë të FSB-së dhe GRU-së ishin në mesin e atyre që u arrestuan për një përpjekje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016.

Reagimet rajonale ndaj luftës në Ukrainë

Sakaq, Ballkani ka formësuar edhe ndarjet e palëve ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Anëtarët e NATO-s, si: Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, por edhe Kosova, iu bashkuan menjëherë sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Kurse Serbia dhe Bosnja kanë refuzuar t’u bashkohen sanksioneve.

Në rastin e Bosnjës vlen të përmendet edhe vetoja e Republika Srpska në bllokimin e këtij vendimi.

Ato janë dy vendet e vetme evropiane të mbetura jashtë listës së shteteve “armiqësore” të Rusisë.

“Në Bosnjë, frika se lufta në Ukrainë mund të sjellë destabilitet në Ballkan është veçanërisht e përhapur”, thekson raporti i CSIS-s.

Sipas kësaj të fundit, edhe në Kosovë, ku ndjenjat publike janë fuqimisht pro-perëndimore dhe anti-ruse, kriza në Ukrainë ka rritur shqetësimet për sigurinë e vendit.

Udhëheqësit e qeverisë, theksohet në raport, kanë qenë të rreptë në thirrjet e tyre për një rrugë më të shpejtë drejt anëtarësimit në NATO dhe për një bazë të përhershme të aleancës.

Shpenzimet për mbrojtjen

Për të kuptuar diçka më shumë rreth shpenzimeve për mbrojtjen, na vjen në ndihmë raporti i fundit, i publikuar gjatë muajit mars, i “Balkan Defense Monitor”.

Sipas saj, Serbia ka rritur gradualisht buxhetin e saj ushtarak nga viti 2016 e në vazhdim dhe mbetet shpenzuesi më i madh në rajon, duke tejkaluar 2 për qind të PBB-së (2,42 për qind në 2021).

Bosnja ndan vetëm 0,7 për qind të PBB-së së saj për qëllime të mbrojtjes.

Kjo e bën atë “shpenzuesin më të vogël” nga të gjitha vendet e tjera në rajon.

Shtetet e Bashkuara mbeten donatori më i madh në sektorin e mbrojtjes për çdo vend të rajonit.

Kur bëhet fjalë për anëtarët e NATO-s në rajon, ka gjithashtu një ndryshim midis shpenzimeve të raportuara në NATO dhe numrave në bilancet e qeverisë, thuhet në raport.

Këto dallime, sipas hulumtimit, janë rezultat i metodologjive të ndryshme, por shërbejnë edhe si një truk i dobishëm politik – për të qetësuar NATO-n, por edhe publikun vendas.

Monitoruesi tregon në vijim se buxheti i mbrojtjes shqiptare është më pak transparenti dhe më pak i detajuari në rajon.

Shqipëria ka dëshmuar gjithashtu një rritje të qëndrueshme të shpenzimeve ushtarake që nga viti 2017 – përveç vitit 2020 për shkak të pandemisë.

Por, vendi ynë nuk e ka përmbushur ende pragun e NATO-s prej 2 për qind të PBB-së (1,38 për qind në 2021), sipas raportit.

Sfidat dhe perspektiva

Sa u takon shifrave të përditësuara të armatimeve në rajon, edhe pse dëshmojnë një rritje, “aftësitë sulmuese të FA-ve në Ballkanin Perëndimor mbeten të kufizuara”.

Kështu shkruan Andrej Markovic në publikimin e Qendrës për Studimet e Evropës Lindore (CEES).

“Edhe pse rinovimi i forcave të armatosura është shqetësim i legjitimuar, aftësitë sulmuese mund të rriten në afatmesëm deri në atë masë sa të mund të perceptohen si kërcënim real”, vëren Markovic.

Kjo, duke minuar besimin e fituar me vështirësi që është ndërtuar ndër vite.

“Së paku, shtetet në rajon duhet të ndalojnë vënien retorike të armëve kundër njëri-tjetrit”, shkruan ai.

Kina dhe Rusia, sipas tij, do të mbeten të pranishme në Ballkanin Perëndimor.

Ky nuk duhet të jetë një dëm, nënvizon Markovic, pasi rajoni vështirë se mund ta bëjë pa importe energjie nga Rusia dhe lidhjet ekonomike me Kinën.

Teksa konkurrenca mes fuqive të mëdha intensifikohet, kultivimi i lidhjeve të Serbisë me të gjitha palët kërcënojnë të çojnë në komplikime.

Serbia considers buying Chinese missiles despite US warning | AP News

E ndërsa paralajmërimet dhe qëndrimet vijojnë të ruajnë një ekuilibër mes Evropës dhe Ballkanit, kjo e fundit mbetet nën hijen e vetvetes.

“Baruti” nuk ka qenë asnjëherë i përllogaritur tek armët apo mbrojtja, por te frymët nacionaliste që mbushin fuçinë e Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore