Shqipëria

Bardhi: 69% e delegatëve demokratë zgjedhin Kuvendin e Bashës


“Thirrjes përçarëse të Sali Berishës nuk i janë përgjigjur 5 mijë e 259 anëtarë të Partisë Demokratike”.

Kështu u shpreh sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, për sa i përket mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga kryesia e PD-së më 18 dhjetor.

Bardhi deklaroi se, pavarësisht shpalljes së kësaj date, “gjuha përçarëse dhe retorika përçarëse e zotit Berisha vijoi edhe pas vendimit të kryesisë për thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor”.

Lideri historik i PD-së Berisha më herët ftoi të gjithë delegatët e Partisë të marrin pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit, në “Air Albania”, ku ka kërkuar që të vijnë edhe ata që kanë një mendim ndryshe.

Ndër të tjera, një ftesë e hapur nga Berisha ishte edhe për kreun Lulzim Basha.

Pasi publikoi një video të Berishës në një nga foltoret që ka mbajtur prej muajit shtator, ku deklaronte se delegatët kanë grisur ftesat për marrjen pjesë më 18 dhjetor, Bardhi iu kundërpërgjigj duke paraqitur të gjithë ata që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

“Ndër emrat që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, anëtarët e kryesisë së partisë, si dhe anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi Kombëtar i 17 korrikut”.

Bardhi, mbajtjen e Kuvendit të thirrur nga Berisha e quajti “tubim”, pasi në mbledhje nuk do të jetë asnjë organ vendimmarrës i PD-së.

Për sa u përket 11 kryetarëve të degëve që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e procesit të 18 dhjetorit, Bardhi si sekretar partie, deklaroi se, “kam nisur përgatitjen e një raporti dhe shumë shpejt do të mblidhet Kryesia për të parë veprimet e mëtejshme”.

Më 10 nëntor, Berisha dorëzoi 4 mijë e 200 firma te kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka.

Bardhi i cilësoi këto të fundit jo legjitime, pasi “vetë firmosin, vetë skanojnë, vetë vendosin”.

Në përfundim, ai ftoi Berishën dhe të gjithë demokratët që Kuvendi Kombëtar do të mbahet më 18 dhjetor dhe çdo shqetësim do të delegohet atë ditë.

“Përçarja” e demokratëve filloi pas vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ky vendim i kryedemokratit erdhi pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Berishën dhe familjen e tij si persona non-grata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore