Shqipëria

Basha: Një parti, një Kuvend më 18 dhjetor


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasditen e 1 dhjetorit ka ritheksuar mesazhin e tij se Kuvendi Kombëtar do të mbahet më 18 dhjetor.

“Një Parti, një Kuvend Kombëtar”, ishte mesazhi që publikoi përmes një video në median sociale Twitter gjatë një interviste.

“Unë besoj se rruga që ka ndjekur nuk i ka dhënë produktin e dëshiruar”, ishte deklaratë e Bashës për liderin historik të PD-së, Sali Berisha.

Sipas Bashës, Berisha për interesin e tij personal po mundohet të shfrytëzojë dhe të përçajë PD-në.

Por, kjo e fundit ka theksuar Basha nuk do të ndodhë, pasi përgjigja i është dhënë më 15 nëntor, kur u vendos data 18 dhjetor për Kuvendin e PD-së.

“Për më shumë dhe për fat të keq, faktorë ekstrapolitikë që s’kanë lidhje me interesat të demokratëve, të krimit të organizuar, oligarkë, por dhe kundërshtari ynë politik, është investuar që diçka të nisur nga Berisha për interesin e tij personal, ta shfrytëzojë për ta përçarë PD-në”.

PD-ja po përballet me një “krizë brenda partie”. Berisha që prej përjashtimit të tij nga Grupi Parlamentar i PD-së nga vetë Basha, i ka shpallur “luftë” këtij të fundit.

Më 10 nëntor ai ka dorëzuar në zyrën Kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, firmat e mbledhura  me qëllim rrëzimin e vendimit të përjashtimit të tij nga Grupi Parlamentar.

Nga ana tjetër ka pasur thirrje për thirrjen e dy Kuvendeve me data të ndryshme. Berisha ka njoftuar datën 11 dhjetor për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Basha e ka thënë i prerë se, “nuk do të ketë Kuvend të PD-së më 11 dhjetor, por më 18 dhjetor 2021”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore