Sport

Barcelona ulë pretendimet për kartonin e Griezmann-it, gati marrëveshja me Atletico-n


Në aventurën e tij të dytë tek Atletico Madrid, Antoine Griezmann po përjeton një situatë të pazakontë, pasi 31-vjeçari ka luajtur jo më shumë se 30 minuta.

Në huazimin me të drejtë blerje midis Barcelonës dhe Atletico-s, ekziston një klauzolë jo në favorin e Griezmann-it, pasi në qoftë se francezi luan më shumë se 50% të minutave të totalit, Atletico Madrid është e detyruar të paguajë 40 milionë euro për blerjen e kartonit.

Sipas gazetës franceze “L’Equipe”, Atletico dhe Barcelona po punojnë për të zhbllokuar situatën e pazakontë që po përjeton sulmuesi francez.

Raportimet  tregojnë se dy klubet janë afër një marrëveshjeje për 25 milionë euro. Një shifër mjaft e vogël krahasuar me 40 milionët e kërkuara fillimisht nga Barça.

Griezmann është i lumtur në Madrid, megjithatë dëshiron të luaj më shumë minuta dhe të rikthehet protagonist absolut, pasi edhe Botërori “Katar 2022” është afër.

Bisedimet po shkojnë në rrugën e duhur dhe çështja “Griezmann” pritet të zgjidhej pas pushimit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve.

Në pesë javët e para të La Liga-s dhe në sfidën e parë të Ligës së Kampionëve, Griezmann ka një mesatare jo më shumë se 28 minuta lojë për takim. Francezi deri më tani ka shënuar tre gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore