Film

Barbie projektohet në mbi 150 milionë dollarë fitime për fundjavën hapëse, përtej çdo pritshmërie


Cila do të ishte një shifër realiste për hapjen e Barbie në sallat e kinemasë amerikane? 80 milionë dollarë? 90? 100?

Çdo pritshmëri e tillë (prej muajsh) në korridoret e Hollywood-it është shkërmoqur tërësisht, pasi me një të premte superlative (22.5 milionë të enjten në shfaqje të parakohshme), Barbie pritet të hapë rrugëtimin e saj në ekranin e madh në mbi 155 milionë dollarë.

Kjo shifër do të ishte edhe debutimi më i madh i këtij viti përgjatë një fundjave të vetme dhe do të linte pas ikonën e videolojërave të Nintendo, The Super Mario bros. Movie.

Jo vetëm kaq, por me një Oppenheimer nën drejtimin e Christopher Nolan nga ana tjetër, e gjithë fundjava është kthyer në një spektakël të vërtetë, i cili të kujton periudhën para-pandemike të vitit 2019.

Oppenheimer vetë, në SHBA, pritet të hapet me rreth 75 milionë dollarë.

Shifra shënjon një rritje krahasimisht me pritshmëritë që filmi kishte, për të debutuar në rangun e 50 milionë dollarëve, duke parë edhe minutazhin e gjatë prej tre orësh dhe mungesën e disa ekraneve të mëdha me rëndësi, për shkak se Barbie i kishte prenotuar.

Filmat gjithsesi nuk po e pengojnë aspak njëri-tjetrin…përkundrazi.

Sindroma “Barbienheimer” është kthyer në një realitet (dikur meme), ku shumë njerëz i kanë prenotuar të dy filmat për t’i parë njëkohësisht njëri pas tjetrit pa humbur kohë, duke rritur edhe fitimet e gjeneruara.

Për t’u parë mbeten edhe shifrat botërore, të cilat pritet të bëhen publike orët e vona të së hënës-orët e para të së martës.

Nëse Barbie arrin që në gjithë pjesën tjetër të botës të ketë minimalisht një hapje prej 200 milionë dollarësh, atëherë ka shumë gjasë që filmi në tërësi, në gjithë rrugëtimin 40-ditor në kinema, të gjenerojë mbi 1 miliard dollarë.

Kjo, edhe një ëndërr e kahershme e Barbie-t në jetën reale, Margot Robbie, e cila përveçse e portretizon kukullën ikonë të prodhuesit Matel, është edhe producente e filmit.

Me filmin, i cili ka korrur rishikime shumë të mira prej kritikëve, bota rozë synon kështu të jetë ndër filmat e vitit (në mos filmi i vitit) dhe pretendime i ka shfaqur edhe në botën e çmimeve, me përfolje se do të ketë nomimine të rëndësishme për Oscars.

Ne thjesht jetojmë në botën e Barbie sot dhe pikërisht ky film, na tregon se pse ajo vijon të mbetet ikona e ekselencës në botën e kukullave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore