Lajme

Banka Botërore ndalon financimin e projekteve në Afganistan


Banka Botërore

Banka Botërore ka ndaluar financimin e projekteve në Afganistan, në momentin kur talibanët morën kontrollin e këtij vendi.

Banka Botërore është shprehur e shqetësuar se si do të ndikojë kontrolli i talibanëve në “perspektivat e zhvillimit të vendit, veçanërisht për gratë”,

Ky vendim ka ardhur vetëm disa ditë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar, pezulloi gjithashtu pagesat për Afganistan.

Që nga viti 2002, Banka Botërore ka ndarë mbi 5.3 miliardë dollarë për projektet e rindërtimit dhe zhvillimit në Afganistan.

“Ne kemi ndalur pagesat tona në Afganistan dhe jemi duke monitoruar dhe vlerësuar nga afër situatën, në përputhje me politikat dhe procedurat tona të brendshme”, tha një zëdhënës i Bankës Botërore për BBC-në.

Ai shtoi se, “ne do të vazhdojmë të konsultohemi ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe partnerët e zhvillimit”, shtoi ai.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Militantët talebanë, të mërkurën e 18 gushtit kanë rrethuar aeroportin ndërkombëtar të Kabulit me pika kontrolli sigurie. Ky veprim ka ngritur shqetësimin se grupi do të parandalojë qindra afganë të largohen nga vendi pasi qeveria e mbështetur nga SHBA-të u rrëzua.

Talebanët janë kthyer në pushtet 20 vjet pasi një ndërhyrje e udhëhequr nga SHBA-të i rrëzoi ata në 2001-shin.

Grupi islamik ishte në gjendje të merrte kontrollin pasi shumica e trupave të huaja u tërhoqën.

Përparimi rrufe i talebanëve gjatë 10 ditëve bëri që dhjetëra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre – shumë prej të cilëve mbërritën në kryeqytetin afgan, Kabul. Ndërsa të tjerë u nisën drejt vendeve fqinje.

Me rënien e Kabulit, kryeqytetit afgan, solli largimin e presidentit Ashraf Ghani të dielën e 15 gushtit.

Shumë banorë të dëshpëruar u drejtuan pastaj drejt aeroportit ku trupat amerikane po organizonin evakuime për të huajt dhe afganët e cenueshëm.

Kush janë talebanët?

Talebanët, ose “studentët” në gjuhën Pashto, u shfaqën në fillim të viteve 1990 në Pakistanin verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

Në shtator 1995 ata pushtuan krahinën e Herat-it, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë ata kapën kryeqytetin afgan, Kabul – duke përmbysur regjimin e presidentit, Burhanuddin Rabbani.

Deri në vitin 1998, talebanët kishin nën kontroll gati 90% të Afganistanit. Ndërsa forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA-të filluan tërheqjen nga Afganistani pas 20 vitesh lufte, talebanët nisën të merrnin nën kontroll vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore