Lajme

Bangladesh, zjarri në traget shkakton dhjetëra viktima


Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe rreth 100 të tjerë janë plagosur në jug të Bangladeshit, pasi në një traget të mbushur plot me njerëz ka rënë zjarr, thonë autoritetet vendase.

Zjarri, sipas të dhënave, filloi në mes të lumit, pranë qytetit të Jhalakathi, ndërsa lundronte nga kryeqyteti Dhaka për në qytetin e Barguna-s.

Disa prej viktimave u mbytën, pasi u hodhën në ujë.

Numri i viktimave në fatkeqësinë e së premtes ka të ngjarë të rritet, pasi shumë nga pasagjerët kanë djegie të rënda.

Në bordin e anijes thuhet se ishin rreth 500 persona.

“Zjarri besohet se ka filluar në dhomën e motorit dhe është përhapur shpejt, ndërsa trageti udhëtoi përgjatë lumit Sugandha në orët e para”, tha për mediat lokale zyrtari i shërbimit zjarrfikës, Kamal Hossain Bhuiyan.

Mësohet se zjarri ka vazhduar për orë të tëra.

Një e mbijetuar deklaroi se shumica e njerëzve ishin në gjumë kur shpërtheu zjarri.

Sipas raportimeve, është ngritur një komitet i posaçëm për të hetuar incidentin.

Barguna është rreth 250 km (155 milje) në jug të Dhaka-së.

Aksidentet e trageteve nuk janë të rralla në Bangladesh.

Standardet e dobëta të mirëmbajtjes dhe sigurisë në kantieret e shumta të vendit, ndikojnë në këto incidente.

Shpesh anijet fundosen në mot të keq.

Në qershor 2020, dhjetëra njerëz u vranë kur një varkë me rreth 50 persona u përmbys pranë Dhaka-së.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore