Sport

Bamirësia Poirier – Pacquiao/McGregor jashtë ekuacionit


Filipinasi dhe njëkohësisht legjenda e boksit ndërkombëtarë, Manny Pacquiao, i është bashkuar nismës së fondacionit të luftëtarit amerikan të UFC-së (Kampionati Kulmor i Luftimit) Dustin Poirier, për të dhuruar ndihma ndaj komunitetit indigjen Batwa Pygmie të Uganda-s.

Secili prej tyre ka depozituar 50 mijë dollarë për të siguruar ujë, ushqim dhe iniciativa ndërtimore në kuadër të strehimit të Batwa Pygmies.

100 mijë dollarët e grumbulluar vetëm nga Pacquiao dhe Poirier, do të shërbejnë për të ndërtuar 32 shtëpi me dy dhoma dhe një kuzhinë për indigjenët e Uganda-s. Prurja e kësaj iniciative vjen nga fondacioni Poirier.

“Fondacionin e kam krijuar me qëllim që të luftoj pasiguritë e të ushqyerit dhe paqartësitë e shëndetësisë në vendlindjen time, Louisiana” – tha Poririer për The Mirror dhe vijoi me – “Të mëndosh që sot po adresojmë ndihmat tona drejt problematikave në Uganda, është një ëndërr e kthyer në realitet”.

Fjalëve bamirëse të Poirier i është bashkuar edhe Pacquiao:

“Gjithmon kam dëshiruar fuqimisht të arrij të prek jetët e njerëzve në nëvojë dhe t’i ndihmoj ata – në më shumë shtete dhe me më shumë mënyra”.

Sipas bamirësit dhe ish praktikuesit të arteve marciale mikse Justin Wren, Batwa Pygmies janë dëbuar nga pyjet në të cilat ata banonin prej kohësh, drejt ambjenteve më moderne. Mirëpo, ata i përkasin një kohe të largët dhe kanë ruajtur traditën dhe stilin e tyre primitiv të të jetuarit, gjë që e ka bërë shumë të vështirë adaptimin në metropolet apo qoftë edhe qytete më të zhvilluara.

Herët gjatë kësaj jave, Poirier ka deklaruar se rivali i tij irlandez, Conor McGregor është tërhequr nga marrëveshja me fjalë, që përfshinte ndihma ekonomike në fondacionin Poirier.

McGregor kishte premtuar se do të jepte 500 mijë dollarë por, për sa kohë nuk i është transparent procesi, ai nuk do të bëj asnjë hap përpara.

Poirier pret përmbylljen e trilogjisë me McGregor në 10 korrik. Situata u ndërlikuar kur McGregor, pak ditë më parë, postoi në rrjetet sociale se nuk pranoi të ndeshet me Poirier në korrik, mirëpo, ngjarja ndryshoi ndërsa irlandezi tregoi se iu bind kontratës paraprake.

Kështu që, dyluftimi i tyre u legjitimua dhe fituesi midis tyre do të ketë të drejtën të sfidojë fituesin mes Michael Chandles dhe Charles Oliviera, për titullin e kampionit te peshave të lehta në UFC.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore