Shqipëria

Balluku: Brenda vitit përfundon autostrada Thumanë-Kashar


Zëvendës kryeministrja dhe ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë në Shqipëri, Belinda Balluku bëri të ditur se brenda 12 muajsh aksi Thumanë-Kashar do të ketë përfunduar.

Lajmi u bë i ditur gjatë inspektimit të kësaj rruge së bashku me kryeministrin Edi Rama.

Sipas saj deri më tani janë dorëzuar 40 për qind e punimeve dhe brenda këtij viti do të ketë mbaruar e gjithë traseja.

Balluku theksoi se edhe në këtë aks që është pjesë e korridorit blu, krahas autostradës janë ndërtuar edhe rrugët paralele pa pagesë.

“Në gjurmën Thumanë-Kashar punimet kanë ecur shumë mirë dhe bëhet fjalë për 40 për qind të punimeve të dorëzuar. Gjurma është 21 kilometra dhe rrugët paralele që ndërtohen u japin mundësi qytetarëve të zgjedhin autostradën e shpejtësisë 140 km në orë dhe me pagesë, ose rrugët e tjera paralele. I gjithë korridori blu do të jetë me rrugë paralele”.

Balluku bëri të ditur se po punohet njëkohësisht në të dy kantierët, ndërsa autostrada krahas korsive do të ketë edhe korsi emergjence.

Numri dy i Qeverisë shpjegoi ndër të tjera se aksi më i komplikuar, sipas saj do të jetë Kashar-Lekaj.

“Aksi më i komplikuar është Kashar-Lekaj. Është 100% gjurmë e re do të jetë gjeologji problematike dhe një zonë që do të ndërtohet nga e para me tunele dhe ura dhe jemi në fazën e negocimit. Një problematikë që kemi është fakti që kemi një lidhje të ByPass-it të Tiranës dhe këtij segmenti dhe po koordinojnë detajet e fundit mes stafeve që punojnë për ByPass-in e Tiranës dhe stafit të këtij aksi”, shtoi ajo.

Miratohet koncesioni për projektimin dhe ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore