Shqipëria

Miratohet koncesioni për projektimin dhe ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një deklaratë për mediat gjatë prezantimit të vendimeve të qeverisë, ka bërë me dije se është miratuar koncesioni për projektimin dhe ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar.

“Një projektvendim është ai që i hap miratimit të kontratës së koncesionit për ndërtimin, operatimin, mirëmbajtjen e aksit rrugor Thumanë-Kashar. Ka pasur debat publik për këtë çështje. Që në vitin 2019, kjo kontratë u anulua, për shkak se ajo hapësirë fiskale u vendos në dispozicion të paktit të universitetit. I jemi kthyer kësaj kontrate se shkojmë në parametra të rinj”.

Ajo theksoi se aksi do të investohet në parimin e koncesionit që do të investojë dhe operojë e transferojë pas 35 vitesh në pronësi të shtetit shqiptar.

“Procesi është bërë përmes një negocimi dhe nuk duhet harruar se është ndër më të rëndësishmet të korridorit blu. Synojmë që të hapim lotet brenda vitit 2022, që t’i kemi të përfunduar në 36 muajt e ardhshëm”.

Ministrja bëri me dije gjithashtu se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka paraqitur 5 VKM, njëra prej të cilave ka të bëjë me shpronësimin, dy për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës.

“Do të ndalem te dy prej VKM. Ajo për përcaktimin e kritereve të rregullave transferimit të të drejtave të licencave minerare nga zotëruesi”.

Sipas Ballukut, duke qenë se ka pasur një ndryshim në ligjin 304 të miratuar më 15 korrik 2010, u konsiderua e nevojshme të amendohen disa rregulla për transferimin e lejeve.

“Kjo vjen pas një sërë abuzimesh me licensimet. Për të fortifikuar këtë proces dhe për t’i dhënë seriozitet sektorit minerar. Ne dëshirojmë t’i kthehet dinjiteti dhe të vendosen rregulla e ligji të jetë parimi kryesor. Vitet e fundit është vërejtur një interes i madh për investitorët e huaj, kështu që lind nevoja për të pasur vëmendje nga Ministria”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore