Shqipëria

Balla: Gjoba, instrument për të vetë-dijësuar përdoruesin e rrugës për rreziqet që sjellin shkeljet


Ministri i Brendshëm Taulant Balla inspektoi disa akse rrugore e nyje të rëndësishme qarkullimi në Tiranë, ku u njoh nga afër me disa nga problematikat e trafikut në qytet dhe rrugët interurbane.

Gjatë bashkëbisedimit me Shefin e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Besmir Qibini, ministri theksoi rëndësinë e komunikimit me qytetarët, ndërgjegjësimin e tyre për domosdoshmërinë e respektimit të rregullave të qarkullimit, si një masë mbrojtëse për shëndetin e jetën e tyre.

Balla nënvizoi gjithashtu faktin se ndëshkimet ndaj kundërvajtësve kanë për synim edukimin e shtetasve dhe nuk janë qëllim në vetvete.

Duke folur rreth përdorimit të pajisjeve të teknologjisë së lartë, shefi i Qarkullimit  u shpreh se “prej një viti Policia Rrugore përdorur ‘dron edukues’ që është për 3-4 lloj shkeljesh, të cilat e pasqyrojnë në një dimension tjetër kundërvajtjen administrative. Kemi vënë ‘dron edukativ’ për këmbësorët që nuk respektojnë vizat e bardha por sidomos mjetet që nuk respektojnë këmbësorët, kryesisht në rreth-rrotullim, por edhe në vizat e bardha. Ka një progres në këtë drejtim, sidomos në vijat e bardha, të dyanshëm, edhe nga shoferët, edhe nga këmbësorët. Më parë nuk konceptohej që të ndëshkonim këmbësorin, megjithëse ajo parashikohet edhe në kodin rrugor, pavarësisht se ato pika nuk janë zbatuar në të shkuarën”.

Në lidhje me problematikat që hasen nga mosrespektimi i rregullave nga këmbësorët dhe reagimin e tyre, Qibini informoi se ka nisur një fushatë sensibilizuese për këmbësorët.

“Në zonat ku kalon trafik-ndarësi, ku janë vërtet shqetësim, në nyjet problematike, ku kemi pasur aksidente me pasoja. Nga analiza që kemi bërë rezulton se në 15.8 % e rasteve kanë qenë fajtorë këmbësorët. Në përdorues të rrugës hyjnë këmbësorët, përdoruesit e biçikletave, si dhe të patinave elektrike. Kemi konstatuar në rrugë interurbane kryesore raste të përdorimit të monopatinave elektrike, të cilët i kemi ndëshkuar dhe ndaluar kategorikisht lëvizjen e tyre në këto akse”, sqaroi Shefi i Komisariatit.

Ministri u interesua rreth ngarkesave të trafikut, orareve, lëvizshmërisë së trafikut dhe problematikave të tjera, lidhur edhe me këmbësorët.

“E rëndësishme – tha ministri i Brendshëm,  – është ajo që kemi thënë gjithmonë:  nuk është gjoba qëllimi ynë! Gjoba është një instrument për të tërhequr vëmendjen për ta bërë të vetëdijshëm përdoruesin e rrugës për rreziqet që sjellin shkeljet, ose incidentet që shkaktohen nga përdoruesi i rrugës. Pra, gjëja e parë është komunikimi. Njerëzit duhet të kuptojnë që rregullat e qarkullimit rrugor janë rregulla për të mbrojtur, jo për të ndëshkuar. Njerëzit duhet të kuptojnë që kur merr një gjobë, ajo është një alarm që të kesh parasysh të mos e përsërisësh më atë shkelje rrugore”.

Në disa prej kryqëzimeve kryesore në Tiranë janë vendosur punonjës të Policisë Rrugore për të lehtësuar trafikun, të cilët punojnë me turne gjatë gjithë ditës. Ndërsa ka njësi të tjera të Policisë Rrugore që monitorojnë shkeljet që kanë të bëjnë me mospërdorimin e telefonit, rripin e sigurimit, tejkalimin e shpejtësisë etj.

Në vëmendjen e Policisë Rrugore janë mjetet që nuk respektojnë këmbësorët.

Në rreth-rrotullime monitorojnë mjetet që nuk japin përparësi atij që ka të drejtën e kalimit në rreth-rrotullim.

Po kështu edhe për mjete që nuk pozicionohen në krahun e duhur majtas apo djathtas para një kthese, pasi duhet të zhvendosen të paktën 50 m më para se të hyjnë në kthesë.

Dronët edukativë janë aplikuar edhe  në rrugët interurbane, Tiranë – Durrës e Tiranë – Elbasan, ku ka rrezikshmëri më të madhe, ku këmbësorët kapërcejnë trafik-ndarëset.

Gjithashtu, Policia Rrugore e Tiranës përdor edhe zhvendosjen e mjeteve me karoatrec, kur janë të parkuara në akse kryesore dhe që pengojnë lëvizjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore