Lajme

Balje kundër kundër martesave të gjinisë së njëjtë, ambasadori francez e thërret në diskutim


Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, është takuar me Duda Baljen, deputete e Kuvendit të Kosovës që drejton komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe e cila ka dal haptas kundër ndryshimit të Kodit Civil.

“Diskutim shumë i dobishëm me Duda Baljen, Kryetare e Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Kuvendit mbi 3 ligjet e subjekteve kryesore: liria e besimit, lufta kundër dhunës ndaj grave, kuadri ligjor për çiftet e të njëjtit seks”, ka shkruar ai në Twitter.

 

Ndryshe, deputetja Balje e cila kishte votuar kundër Kodit Civil në Kuvend, pati theksuar më herët se ajo nuk mund të dal kundër fesë në të cilën ajo beson.

“Unë si deputete nuk mund të dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë KUNDËR. Kundër, sepse nuk përket me kulturën, traditën në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë”, pati shkruar mes tjerash kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Balje në rrjetin social Facebook.

Përveç partive politike e deputetëve, kundër lejimit të martesës të së njëjtës gjini kanë dalë edhe katër komunitetet fetare shqiptare të Kosovës, të cilët njëzëri kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë projektligj.

“Bashkësia Islame e Kosovës, Dioqeza e Prizrenit dhe Prishtinës, Kisha Protestane Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës shprehin shqetësimin lidhur me projektligjinj për ndryshimin e Kodit Civil, pjesën e familjes, ku po rezultohet që të dobësohet përkufizimi dhe funksionimi i martesës në Kosovë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre komuniteteve të fetare.

Ndërsa dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është bashkuar “Paradës së Krenarisë” që është duke u mbajtur këtë të shtune në sheshin e Prishtinës.

Në fjalën e tij para gazetarëve Kurti tha se arsyeja që ai është prezent për shkak se “besoj në të drejtat e njeriut, besoj që të gjithë duhet të jemi të barabartë, dhe secili duhet të ketë të garantuar dhe të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin”.

“Për komunitetin LGBTQI+, shteti dhe shoqëria duhet t’i mbrojë dhe duhet të mësojë për ta. Me këtë rast unë shpreh indinjatën time për numrin e madh të abuzimeve kërcënimeve dhe të diskriminimeve që përjetojnë ky komunitet”, shtoi ai.

Kodi Civil i cili parasheh martesat e seksit të njëjtë nuk kishte kaluar në Kuvend, kjo për shkak të kundërshtimeve të kundërshtimeve të disa deputetëve, mirëpo Kurti shprehet optimist se herën e ardhshme do të miratohet.

“Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në parlament”, potencoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore