Shqipëria

BALFIN Volley / Mane TCI kampion edhe në fushën e lojës


Beteja e së hënës së 5 korrikut që u zhvillua për trofeun e Kampionatit të Volejbollit të Grupit BALFIN ishte historike. Mane TCI triumfoi mbi Neptun-in, 5 herë kampion.

Ajo që në fillim u duk se do të ishte një tjetër fitore e padiskutueshme e Neptun-it, përfundoi me një sukses befasues por të merituar nga Mane TCI.

Lojtarët ofruan një ndeshje fantastike që mbajti shikuesit në ankth. Nga ana tjetër, rivaliteti nxiti brohoritje dhe energji të pakrahasueshme nga tifozët mbështetës të secilës skuadër.

Mbështetësit e skuadrës Neptun

Neptun fitoi dy setet e para (15-25; 19-25), por Mane TCI shfaqi shpejt vendosmëri për të përmbysur rezultatin, duke fituar tre setet e fundit me një luftë të fortë (25-20; 25-13; 15- 11).

Në edicionin e këtij viti, 12 ekipe dhe 179 lojtarë morën pjesë nga kompanitë e Grupit BALFIN, duke shfaqur punë skuadre të pametë, përpjekje dhe kurajo.

Në fund të ndeshjes, para se të festohej zyrtarisht për ekipin fitues, gjyqtari, Artan Pogoni, një trajner i njohur kampion dhe partner i vjetër i BALFIN në organizimin e BALFIN Volley, dha çmimet për lojtarët dhe ekipet më të dalluara dhe përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët për punën e tyre të palodhur.

Fryma e grupit, skuadra Neptun

Risi e këtij viti është se këto dy skuadra do të luajnë kundër dy ekipeve finaliste të turneut kosovar në shtator në Tiranë, Jumbo Kosova dhe Newco Ferronikeli, për të shpallur titullarin e Kampionatit Ndërkombëtar BALFIN 2021.

Kapitenia e Mane TCI-së, Eugesta Jazi, që u shpall edhe lojtarja më e mirë femër e turneut, u shpreh tepër entuziaste për këtë arritje të ekipit të saj: “Jemi shumë të lumtur për fitoren e merituar! Nga eksperienca e viteve të mëparshme jemi spikatur si një ekip simpatik, luftarak e bashkëpunues, ku shpirti i skuadrës ishte pika jonë më e fortë.

Më tej ajo shtoi se pasi “kuptuam këtë u fokusuam në përmirësimin e aftësive tona teknike. I gjithë ekipi ka sakrifikuar shumë duke ardhur në stërvitje rregullisht me një qëllim të vetëm, të bënim diferencën. Edhe pse për ne shumë ishte e pamundur, ne që në fillim kishim objektiv vetëm fitoren.

“Njohëm shumë mirë njeri-tjetrin, aftësitë e gjithsecilit por mbi të gjitha njohëm kufijtë tanë – ne nuk kishim kufij!”, përmbylli fjalën e saj Jazi.

Dyluftim në rrjetë

Kapiteni i Neptun-it, Blendi Dashi, u mundua që ta mbajë lart moralin e shokëve dhe shoqeve të skuadrës.

“Humbja është pjesë e lojës. Nëse nuk humbasim kurrë, asnjëherë nuk testohemi në  të vërtetë dhe nuk detyrohemi që të rritemi. Shihemi sërish në kampionatin e radhës”, deklaroi Dashi.

Gjatë dhënies së kupës ekipit kampion, Agim Fjolla, Drejtor i Komunikimit në Grupin BALFIN u shpreh: “Përgëzime të gjithë pjesëmarrësve, të 12 ekipeve, që na rikthyen shpresën në këtë kampionat të parë pas pandemisë”.

“Edhe BALFIN Volley ishte si Euro 2020, që u shty me një vit. Kampionati i Volejbollit përbën një nga aktivitetet kryesore socializuese të Grupit BALFIN që ka pjesëmarrje masive jo vetëm për të luajtur por edhe për të mbështetur kolegët me tifozllëk. Urime ekipit fitues!”, nënvizoi Fjolla.

Një kalim i topit në gjysmë-fushën e Neptunit

Ngritja e moralit midis punonjësve është një komponent thelbësor në suksesin e çdo organizate, pasi kënaqësia dhe mirëqenia e punonjësve është një përparësi në rritje e Grupit BALFIN.

Aktivitetet sportive promovojnë punën në ekip dhe nxisin një ndjenjë të lidhjes midis punonjësve. Ky front i unifikuar ka qenë qëllimi i Kampionatit të Volejbollit të BALFIN që nga fillimi.

Momente pas ngritjes së trofeut nga Mane TCI

Grupi BALFIN kërkon standardin më të lartë në rregullimin e këtij kampionati, ku pjesëmarrësit përforcojnë vlerat e lojës së ndershme, solidaritetit dhe shpirtit të ekipit, dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë në vitet që vijnë, duke ndikuar në kulturën e korporatave në rajon.

Ky artikull është sponsorizuar nga Grupi BALFIN 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore