Lajme

Bajrami, Muratit: Qeveria pas dy vjetëve duhet të fillojë punën, mjaft me ankesa


Hekuran Murati dhe Hykmete Bajrami.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Muratit i cili ka fajësuar këtë parti për mosuljen e çmimeve të vajit ushqimor dhe grurit.

Sipas Muratit, kjo ka ndodhur për shkak të dërgimit të ligjit të çmimit tavan në Gjykatën Kushtetuese.

Bajrami, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se ajo çfarë duhet të bëje Qeveria për të rregulluar këtë çështje është të filloj të punoj, pas dy vjetëve pushim.

“Ky vend e ka Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, ka Inspektorat të Tregut dhe i ka krejt mekanizmat e nevojshëm për të marrë masa sa herë që dëshmohet se dikush po spekulon me pozitën dominuese në treg, apo po spekulon me çmime”.

“Krejt çka i duhet kësaj Qeverie është që pas dy viteve pushim me fillu me punu,  që këto mekanizma me i shti në funksion dhe me i implementu ligjet që janë në fuqi”, ka shkruar Bajrami.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se ligji për çmimet tavan nuk e adreson çështjen e inflacionit as atë të spekulimit me çmime.

“Ligjin të cilin LDK e ka ataku në Gjykatë Kushtetuese është në kundërshtim me Kushtetutën, respektivisht nenin 10 të saj. Ligji si i tillë do të mbyllte me mijëra biznese familjare në fshatra dhe lagje periferike duke krijuar situatë edhe më të favorshme për tregtarët e mdhenjë”.

“Qeveria, gjithashtu duhet me dalë në teren, me bisedu me biznese përtej oborrit të tyre, me pa si ju ka ndiku ngritja e çmimit të rrymës, me i pyet për politika të nevojshme fiskale, me i pyet për kostot e operimit të tyre dhe me pa se si mund të ju ndihmohet atyre për ta përballuar këtë situatë, për të ulë kostot dhe çmimet, shkurt Qeveria duhet me e kry punën sipas mandatit të dhënë”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ministri Murati ka thënë se çmimi i furnizimit të importit në disa kategori ka rënë.

“Çmimi i furnizimit nga importi për vaj ushqimor ka rënë në 1.05 euro/litër. Çmimi i furnizimit nga importi për grurë  ka rënë në 0.24 euro/kg”.

Por, që pagesa po bëhet më shtrenjtë për shkak të dërgimit të ligjit për çmimin tavan në Kushtetuese.

“Ligjin për çmimet tavan, LDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese. Prandaj qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë se që do duhej për vaj, miell e bukë”.

Më 16 nëntor, deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, e kanë dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore