Kosova

Bajrami: Kosova do kthehet në vend atraktiv për investime të huaja sapo të largohet Qeveria që mashtroi


Hykmete Bajrami

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se Kosova do të kthehet në vend atraktiv për investime të huaja sapo me votë qytetare të largohet qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, të cilës ia përmendi premtimet që i ka dhënë e që nuk i ka mbajtur.

Këto komente, Bajrami i ka bërë një përmes një postimi në Facebook, ku ka pyetur Kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, që të deklarohet nëse është pro marrëveshjes për burgje me Danimarkën, e cila po tentohet me çdo kusht nga pushteti, pra Lëvizja Vetëvendosje, të miratohet.

“Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, duhet të tregojë se a është pro që të burgosurit, kryesisht të huaj që jetojnë në Danimarkë, të vijnë në Gjilan për të kryer burgun. Sepse partia në pushtet që është partia prej të cilës vjen Alban Hyseni pasi që ka dështuar të sjellë investime në Kosovë e po bën përpjekje për të sjellë të burgosur nga vendet e BE-së”, shkroi Bajrami.

Qytetarët e Gjilanit dhe të Kosovës, sipas deputetes së LDK-së, “nuk kanë nevojë për t’i kthyer hapësirat publike në burgje për të huajt”.

“Kosova do të kthehet në vend atraktiv për investime të huaja sapo me votë qytetare të largohet qeveria që mashtroi se do të ndërtojë 160 çerdhe, do të ulë çmimin e rrymës, do të ulë çmimet e vajit, sheqertit e miellit”, shtoi ajo.

Kjo Qeveri, për Bajramin, “do të mbahet në mend për urën e Staradranit dhe lëshimin me qera të objekteve për të burgosurit e huaj”.

“Edhe për 240 milionë euro tenderë njëburimor – korrupsion masiv”, përfundoi.

Çka përfiton Kosova nga marrëveshja me Danimarkën?

Përmes marrëveshjes me Danimarkën, Kosova parashihet t’i fitojë mbi 200 milionë euro.

Nga shuma 200 milionë euro sa parashihet të përfitonte Kosova, 30 milionë planifikohen të shkojnë për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.

Ndërsa, pagesa tjetër do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë.

Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

Ndërkaq, udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100 për qind, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.

Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh.

Kosova s’duhet të shndërrohet “strehë për kriminelët”, marrëveshja me Danimarkën sjellë “standarde të dyfishta”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore