Lajme

Bajrami i quan “lëmosha” shtesat e Qeverisë për pensionistët dhe fëmijët: E vetmja gjë që VV-ja di të bëjë


Hykmete Bajrami

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e ka cilësuar si “lëmoshë” vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët.

“S’ka çerdhe të reja, s’ka rritje të pagave në arsim, s’ka asnjë reformë që tri vite, s’ka sigurime shëndetësore, s’ka asnjë ndryshim të politikave fiskale derisa në kurriz të rritjes së çmimeve qytetarët paguajnë dyfish më shumë tatime, çohen e ndajnë lëmoshë nga 100 euro, sepse kjo është puna më e lehtë, sepse kjo është gjëja e vetme që dinë të bëjnë”, shkroi Bajrami në Facebook.

Ish-ministrja e Financave në këtë reagim ka përmendur faktin se partia në pushtet, pra Lëvizja Vetëvendosje, ka dështuar të ndërtojnë 160 çerdhet e premtuara, të cilat i kishte premtuar në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.

“Ka dështuar të bëj politika fiskale për tu përballë me inflacioni, ka dështuar të bëj sigurimet shëndetësore dhe vargu i dështimeve nuk përfundon me kaq”, shtoi.

Në vend të realizimit të premtimeve, vlerësoi Bajrami, “dalin dhe japin nga 100 euro në fundvit për fëmijët e pensionistët”. “Nuk i ndajnë këto mjete se i kanë planifikuar për këto kategori, por sepse kanë dështuar të realizojnë projektet, nuk po i realizojnë premtimet dhe dalin e ndajnë milionat”.

Inflacioni, vuri në pah ajo, në vitin 2022 ka qenë 11.6 për qind, këtë vit janar-nëntor është 5.3%, derisa përmendi edhe faktin që PISA e ka renditur Kosovën më keq se në vitin 2018.

“Sipas të dhënave të MASHT-it, 33% të shkollave dhe 77% të paraleleve nuk i plotësojnë kushtet ligjore për t’u zhvilluar mësim dhe nuk ka asnjë hap nga ana e Qeverisë dhe as e MASHT-it për adresimin e këtij problemi. Në buxhetin e vitit 2024 nuk ka asnjë cent të paraparë për sigurimet shëndetësore”, potencoi ish-ministrja e Arsimit.

Ajo nënvizoi se partia që përfaqëson ka kërkuar disa herë indeksimin e pagave dhe pensioneve bazuar në normën e inflacionit, “që do të ishte një rritje prej 17% krahasuar me 2021 dhe kjo do të ishte me e madhe se 100 Euro të njëhershme që japë Qeveria”.

Ndryshe, në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, e mbajtur këtë të mërkurë, është miratuar ndarja e shtesave prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar se ky vendim vlen për të gjithë fëmijët.

“Ky vendim vlen për të gjithë fëmijët që e marrin shtesat e fëmijëve në kuadër të skenës ekzistuese, sipas muajit dhjetor të këtij viti”.

“Ky është vendimi i cili miraton shtesën, sa i përket ekzekutimit pas përgatitjeve teknike do të bëhet shpërndarja e mjeteve. Mjetet do të kalojnë në llogarinë e prindërve dhe s’do të ketë nevojë për aplikim”, ka thënë Murati.

Një vendim i ngjashëm është miratuar edhe për pensionistët.

“Për të gjithë përfituesit e skemës pensionale do të kenë mbështetje nga 100 euro. Marrë parasysh që pensionet ekzekutohen këtë të premte s’do të kemi mundësi ta ekzekutojmë edhe këtë shumë, por gjatë ditëve në vijim do të bëhet ekzekutimi i tyre”.

Miratohet ndarja e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore