Lajme

Babai i një studenti të Fakultetit të Mjekësisë e sulmon fizikisht gruan e zëvendësministrit Pupovci


Zëdhënësja për media nga Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar për Albanian Post sulmin ndaj profesoreshës së mjekësisë Hatixhe Latifi-Pupovci, e cila është edhe bashkëshortja e zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovcit.

“Sot rreth orës 14 :30, kemi marrë informatën se në Fakultetin e Mjekësisë, në Prishtinë, një person është sulmuar fizikisht”, tha Ahmeti.

Ajo ka shtuar se policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast, lëndime trupore ka pësuar një person femër, e cila është dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.

“Lidhur me këtë rast, rreth orës 18:30, policia ka shoqëruar në stacion policor për intervistim personin e dyshuar”.

Albanian Post merr vesh profesoresha Pupovci është sulmuar nga prindi i një studenti të Fakultetit të Mjekësisë.

Deri te sulmi ka ardhur pasi studenti ka qenë i pa kënaqur pasi ka rënë nga provimi dhe më pas është futur prindi i tij dhe e ka sulmuar profesoreshën.

Më vonë, përmes një reagimi në Facebook, profesoresha ka theksuar se personi që e ka sulmuar është mjek me profesion.

“Është për keqardhje që ky prind, edhe vet mjek, nuk e kupton se sa me rëndësi është mbajtja e kriterit në një lëndë kyçe për formimin e çdo mjeku të ardhshëm. Por, zgjedh dhunën si rrugë për arritjen e qëllimit të vet”, ka shkruar Pupovci.

“Si duket specialisti i gjinekologjisë, dr. Arsim Gashi, nuk e ka herën e parë që përmes dhunës tenton t’i zgjidh problemet. Prandaj pres që ta merr dënimin e merituar”.

AP ka tentuar të flasë në telefon edhe me zëvendësministrin e Arsimit, Dukagjin Pupovcin, por ky i fundit nuk ka dashur të flasë rreth këtij rasti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore