Lajme

Azemi: Kosova vendi të cilin po e frekuentojnë punëtorët nga Bangladeshi


Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se ikja e punëtorëve nga Kosova është duke vazhduar.

Azemi para mediave ka thënë se Kosovën po e frekuentojnë punëtorët nga Bangladeshi, sipas tij deri tani kanë ardhur rreth 500 punëtorë.

“Në Kosovë kemi treg të çrregulluar, punëtorët tani po zgjedhin. Nuk është koha kur pronarët e kompanive kanë thënë se nëse dëshiron të punosh mirë, nëse jo tjetri është duke pritur te dera. Nga Qeveria e Kosovës nuk kemi asnjë lëvizje për rritjen e pagës minimale”.

“Kosova tani për tani është një vend të cilin po e frekuentojnë punëtorët nga Bangladeshi. Deri tani rreth 500 punëtorë kanë ardhur deri tani. Këta nuk vijnë për të punuar, por Kosovën e shohin si pikë tranzicioni për ikje në perëndim”, deklaroi Azemi para gazetarëve.

Ai ka sqaruar se kjo sindikatë s’është pothuajse fare në dialog me Qeverinë e Kosovës, pasi të gjitha kërkesat që i bëjnë kundërshtohen nga ekzekutivi.

“Qeveria se ka bërë punën më të vogël për parandalim e ikjes se punëtorëve. S’po kemi dialog pothuajse fare si partnerë me Qeverinë e Kosovës. Gjithçka që kërkohet nga Sindikatat Qeveria e sheh si kërkese kundërshtuese”.

Lufta kishte prodhuar largimin më të madh të shqiptarëve nga Kosova. Atëherë më shumë se opsion ishte detyrim.

Paslufta ktheu njerëzit, por jo edhe dëshirën për të qëndruar. Problemet e shumta i panë kosovarët duke provuar alternativa nga më të ndryshmet për të lënë vendin.

Papunësia, pagat e ulëta, shkollimi i dobët, çmimet e larta, mosvlerësimi i duhur këto ishin vetëm disa nga arsyetimet kur qytetarët pyeteshin përse po largohen.

Të njëjtat arsyetime vazhdojnë edhe sot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore