Lajme

Azemi e Shahini komentojnë sulmet që iu erdhën nga Bislimi: Zotëri ku po jeton?


Foto: Albanian Post

“Çka thotë ai nuk më shqetëson, më shqetëson ikja e të rinjve, ky është shqetësimi real”, tha kryetari i sindikatës së pavarur të punëtorëve, Jusuf Azemi, në një prononcim për Albanian Post, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të zëvendëskryeministrit Kosovës, Besnik Bislimi, të bëra në komisionin parlamentar për integrime evropiane, ku tha se shqetësimet e Azemit për ikjen e të rinjve nuk mund t’i marr për bazë, pasi “jo gjithmonë citon fakte”.

“Unë kam thënë ato që qëndrojnë dhe që janë shumë reale”, tha Azemi për AP.

Jusuf Azemi

Përveç se nuk i bëjnë përshtypje shqetësimet e Azemit, Bislimi të njëjtën e tha edhe për çështjet e ngritura nga Agim Shahini, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), i cili u citua nga deputetët e opozitës në Kuvend se ekonomia kosovare mund të rrezikohet rëndë nga mungesa e fuqisë punëtore për shkak të largimeve masive, duke thënë se “s’duhet të merren parasysh”.

“Nuk duhet të shqetësohet qeveria e Kosovës dhe zëvendëskryeministri Bislimi çfarë them unë, por duhet të shqetësohet për atë që është gjendje faktike dhe duhet të fokusohet në atë se çfarë duhet bërë për të dalë nga kjo krizë”, theksoi Shahini në një prononcim për Albanian Post.

Agim Shahini

Tutje, Shahini nënvizoi se “kjo neve na intereson”, dhe shtoi se vlerësimi i Bislimit “është joreal”.

Ndërkaq, Bislimi pasi që u ngrit çështja e ikjes së qytetarëve nga Kosova, tha se një gjë e tillë “është normale”.

Bislimi vazhdoi ta përqeshë Azemin duke deklaruar se “po të pyetet ai 600 mijë punëtorë e kanë lëshuar punën, por nuk mund ta marrim për bazë”.

Por, Azemi pohon për AP se Bislimi ia futi kot, meqë “unë s’e kam thënë atë shifër kurrë”, dhe shtoi se “të thotë një zëvendëskryeministër se ikjet janë normale, për mua është jo normale”.

“Bislimi nuk po merret me pagën minimale e cila është 170 euro. Nuk kemi as më të voglin përmisim të kushteve të punëtorëve të sektorit privat”, potencoi ai.

Azemi deklaron se shqetësimi më i madh i tij është se “pse nuk po shqetësohen ata (Qeveria) për rininë që po ikin”.

“Kjo pra është më rëndësi e jo ajo çfarë ai ka thënë”, pohoi.

Sa për shifrat që Shahini i ka prezantuar, ai u qëndron prapa atyre, meqë thotë se Aleanca Kosovare e Biznesit, që ai e udhëheq “është autoriteti më i lartë në Kosovë sa i përket statistikave, konstatimeve dhe hulumtimeve, të cilat bazohen gjithmonë në fakte dhe argumente nga terreni, jo të bazuara në dëshira politik”.

“AKB është parterë kryesor i shumë hulumtimeve dhe mekanizmave ndërkombëtarë siç janë UNDP-ja dhe bëjmë hulumtime dhe analiza të ndryshme, sidomos për tregun e punës, fuqinë punëtore, vlerësimin e aftësive profesionale, krizat e ndryshme ekonomike dhe politike dhe ato sektoriale”, thekson Shahini.

Kreu i AKB-së vuri në dukje se asnjëherë “nuk ka dalur që të prononcohet në diçka që është inspiruar nga vlerësimet politike, por vetëm nga vlerësimet ekonomike”.

“Kriza në Kosovë është reale. Këtë më së miri e vlerëson Banka Botërore dhe AKP bashkërisht”, vazhdoi kryetari i AKB.

Për ta dëshmuar krizën, Shahini deklaroi se sipas “shifrave konkrete, në vitin 2021 rritja ekonomike ka qenë 10.7 për qind, në vitin 2022 vetëm 3.5. Çka do thotë kjo? A është kjo krizë reale? A do të thotë kjo se ka ndodh, apo del dikush këtu në Kosovë që e konteston?”.

“Nëse qeveria e Kosovës nuk ndërmerr hapa konkretë për të bërë standardin më të mirë jetësor, për zhvillim ekonomik, dhe nuk krijon politika nxitëse zhvillimore – atëherë Kosova rrezikon që brenda 10 vjeçarit të parë të mbeten më pak se një milion qytetarë”, tregon situatën shqetësuese ai për AP.

Po ashtu, shton se përveç që është “vlerësim i joni”, është edhe “i mekanizmave ndërkombëtarë që i kemi partnerë”.

“Kush është autoritet në këtë vend? Autoriteti më i lartë në këtë vend është statistika e saktë, e ne i kemi gjithmonë statistikat e sakta”, tha ai.

“Ikja masive e fuqisë punëtore do të ndodhë, ashtu siç kemi deklaruar vitin e kaluar, ka ndodh edhe këtë vit – kanë shkuar mbi 50 mijë punëtorë, por edhe në vitin 2021 ka pasur ikje, e do të ndodhë edhe në vitin 2024 e më tutje”.

Sa për Bislimin, Shahini e Azemi thonë se fare nuk kanë rëndësi deklarimet e tij.

Unë jam shumë komod. Unë nuk dua që të shtyhem me Besnik Bislimin, unë e njoh si zëvendëskryeministër legal, por e shoh që nuk po punon; nuk po i kryen punët që i ka sipas obligimeve ligjore”, deklaron Azemi për AP.

Gjithashtu, ai thotë se “me ato deklarata ai e ka zhvlerësuar veten dhe aspak mua”.

Në anën tjetër, Shahini nënvizon se “e dimë që politikanët tonë dëshirojnë që t’i servilizohen organizatat ekonomike, por edhe të tjera, edhe ato sindikale, e që nuk i shkojnë përshtati vlerësimet reale”.

“Ne nuk jemi të veshur me petkun politik, jemi të veshur me atë zhvillimor. Ne nuk pretendojmë të marrim karrige në pushtet, por ta zhvillojmë shtetin. Ky është dallimi në mes neve dhe institucioneve politike që pretendojnë për çdo ditë të ulen nëpër vende apo kolltuqe, e të cilat nuk i zotojnë”, thekson Shahini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore