Kosova

Avokati i Thaçit: S’kam parë kaq shumë redaktime në një aktakuzë gjatë punës time 30 vjeçare


Gregory Kehoe, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit

Gregory Kehoe, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ka thënë se gjatë punës së tij 30 vjeçare nuk ka parë kaq shumë redaktime në dokumente, duke shtuar se “nëse shikohet në aktakuzë, aty ka të përfshira pretendime të ndryshme dhe kur jepet mbështetja në ato pretendime, informacioni është i redaktuar”.

“E bën të pamundur në disa instanca që të hetohen ato çështje, çka ne po mundohemi të bëjmë”, tha Kehoe për Betimi për Drejtësi.

“Dhe prapë, nuk kam parë ndonjëherë nivelin e këtyre redaktimeve, siç i kam parë në këtë rast. Dhe e them këtë në dy anët e ekuacionit sepse unë kam punuar në zyrën e prokurorit fillimisht në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish- Jugosllavinë dhe kjo nuk është bërë asnjëherë, sigurisht jo në këtë nivel”.

Hashim Thaçi

Këto redaktime, sipas tij, po u pengojnë mbrojtjes si në hetime, ashtu edhe në dhënien e alibisë për klientët e tyre.

“Ju e dini, Presidenti Thaçi, gjatë vitit 1998 dhe sigurisht një pjesë të hershme të vitit 1999 ka qenë duke udhëtuar në Evropë dhe vende tjera për të biseduar me liderë të ndryshëm botëror lidhur me përpjekjet për paqe, para Rambujes dhe sidomos pas konferencës së Rambujes në shkurt të vitit 1999”.

Sipas tij, pretendimet që janë në aktakuzë përfshijnë një numër ngjarjes që supozohet që ndodhën në Kosovë gjatë vitit 1999.

“Por, ata nuk na japin datën dhe nuk na tregojnë se kush në fakt ishte i përfshirë”.

Avokati Kehoe shtoi se pyetja është si do të parashtrojë mbrojtja alibi kur nuk i dinë datat kur prokuroria pretendon se ndodhën këto ngjarje.

“A ishte Presidenti në Kosovë, a ishte në Shqipëri apo ishte në ndonjë numër të shteteve në Evropën Perëndimore. Pra, përgjigja është se e paragjykon hetimin nga ana e mbrojtjes dhe disa informacione ne nuk do t’i marrim deri para fillimit të gjykimit dhe disa informacione për dëshmitarë nuk do t’i marrim derisa të hyjmë në gjykim”, ka thënë ai.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Thaçi, Kadri, Selimi, Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’)”.

“Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore