Lajme

Avokati i Popullit dënon dhunën fizike në Kuvend: Ka pasoja të rënda për qytetarët


Ilustrim

Avokati i Popullit dhe disa nga organizatat e shoqërisë civile të cilët operojnë në Kosovë, kanë dënuar dhunën fizike që ndodhi gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.

Avokati i Popullit dhe organizatat e shoqërisë civile, kanë bërë thirrje që të gjithë të përmbahen nga gjuha që nxit urrejtje dhe dhunë.

“Të kujdesemi që me veprimet tona të krijojmë ambient të respektit, tolerancës dhe debatit konstruktiv që ndihmon në përmbushjen e misionit për të përfaqësuar interesat e popullit dhe të vendit”.

Ngjarjet e tillë, thuhet në një reagim për media, nuk guxojnë të përsëritën më asnjëherë meqë sipas tyre kanë pasoja të rënda për qytetarët dhe nuk janë në të mirë të vendit.

Çfarë ndodhi?

Në Kuvendin e Kosovës ka pasur përplasje të ashpër fizike mes opozitës dhe sigurimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e disa ministrave të Qeverisë, pasi deputetët opozitarë kanë vendosur që të mos e lejojnë të vazhdojë fjalimin Kurti, meqë vetëm një ditë më parë, shefja e grupit parlamentar u dëgjua në përgjime duke biseduar me deputet të Listë Serbe për veteranët e UÇK-së.

Situata në Parlament eskaloi fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nga vendi i tij shkoi hoqi letrën dhe e grisi.

Ky akt i Bislimit provokoi situatën edhe më tej pasi Mërgim Lushtaku, si përgjigje ndaj vendimit të Bislimit hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe vartësit të tij Bislimit derisa ky i fundit e goditi me shishe Lushtakun.

Më pas, situata u agravua pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat dhe deputetët e pozitës.

Mbrojtja e afërt e kryeministrit intervenoi për të ndaluar përleshjet.

Pas eskalimit të situatës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se do ta vazhdojnë seancën pas 30 minutave.

Teksa kërkoi nga organet e sigurisë që të marrin përgjegjësi për punën e tyre.

“Shkojmë në pushim për 30 minuta kurse ata që janë përgjegjëse le ta vazhdojnë punën e tyre me gjithçka që është e nevojshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore