Shqipëria

Avokati i Popullit: Aksidenti në Këlcyrë, kambanë alarmi për forcimin e masave ndaj emigrimit të paligjshëm


Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me aksidentin e ndodhur mëngjesin e djeshëm në Këlcyrë.

Nga ngjarja e rëndë humbën jetën tetë persona, shtatë emigrantë dhe shoferi i automjetit nga Shkodra.

Avokati i Popullit e quan ngjarjen një kambanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigrimit të paligjshëm.

Po ashtu ka shtuar se duhen promovuar rrugë legale dhe të sigurta për emigracionin.

“Forcimi i ligjit dhe zbatimin e tij, krijimi i mundësive legjitime për emigracion dhe azil, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për të adresuar shkaqet themelore të emigrimit të paligjshëm janë çështjet që duhen adresuar me prioritet”, ka theksuar.

Sipas Avokatit të Popullit, kjo ngjarje duhet të na kujtojë për rëndësinë e jetës dhe nevojën për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën njerëzore në çdo rrethanë.

“Emigrimi i jashtëligjshëm është një sfidë mbarëbotërore dhe çështje e ndjeshme për shoqërinë në tërësi, me të cilën po përballemi fort në dekadën e fundit edhe në vendin tonë”, ka shkruar në mediat sociale.

Sipas Avokatit të Popullit, adresimi në nivel global i çështjes së migracionit duke trajtuar shkaqet në origjinë, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme.

“Është e rëndësishme që politikat dhe ligjet të mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe të sigurojnë që ata të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Për sa më sipër, Avokati i Popullit ka hartuar disa raporte dhe ka dhënë rekomandime ku ka adresuar çështje me rëndësi mbi këtë temë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore