Shqipëria

Avokatët nisin bojkotin në të gjithë Shqipërinë kundër hartës së re gjyqësore


Dy mijë avokatë në të gjithë Shqipërinë do të nisin bojkotimin e seancave apo proceseve gjyqësore.

Shkak për këtë është bërë harta e re gjyqësore e cila u miratua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Nga bojkoti i avokatëve do të bëjnë përjashtim vetëm masat e sigurimit personal me të arrestuar.

Kreu i Dhomës së Avokatisë Maksim Haxhia deklaroi se sugjerimet e Dhomës Kombëtare të Avokatisë nuk janë marrë parasysh.

“Tryezat kanë qenë formalitet. Në këto kushte u vendos bojkoti i të gjitha proceseve në të gjitha nivelet, përfshirë Gjykatën e Lartë”, shtoi avokati.

Ai paralajmëroi se të gjithë avokatët që nuk do të respektojnë vendimin do u hiqet licenca.

“Të gjithë janë pajtuar dhe nuk ka asnjë njeri që të mos jetë dakord me këtë dhe nëse do të ketë ndonjë që nuk do të respektojë vendimin do të procedohet disiplinarisht deri në heqjen e licencës”, theksoi Haxhia.

Deklarata

Reagime të shumta ka pasur edhe nga aktorët qeveritarë apo edhe ato opozitarë.

Lideri demokrat Sali Berisha konsideroi se vendimi i KLGJ-së dhunon direkt interesat e publikut dhe të grupeve të interesit.

“Vendimi i KLGJ-së jo vetëm dhunon interesat direkt të publikut por edhe të grupeve të interesit që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe publikun”, deklaroi kreu i selisë blu.

Sipas tij, harta e re e gjyqësorit bie në kundërshtim me rezolutën e Parlamentit Evropian, pasi thotë se harta e gjyqësorit duhet të përmirësojë cilësinë në gjykata.

“PD-ja dënon këtë projekt dhe kërkon anulimin e tij të menjëhershëm, pasi ky projekt ndëshkon dhjetëra mirë qytetarë dhe qindra ekspertë dhe përqendron vendimmarrjen e sistemit të drejtësisë në dyert e dy tre personave”, ravijëzoi Berisha.

Për ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, bojkotimi i seancave gjyqësore nuk është zgjidhja e duhur dhe nuk i shërben askujt.

Sipas Manjës, përpara se të miratohej kjo hartë gjyqësorë, janë marrë në konsideratë edhe sugjerimet nga avokatia.

Këto të fundit, janë reflektuar në draft, të cilët u njohën me draftin e hartës gjyqësore gjatë fazës së konsultimit publik.

Por, ai ka theksuar se, “riorganizimi gjyqësor është përgjegjësi e Këshillit të Lartë Gjyqësor si qeveri e gjyqësorit dhe e Ministrisë së Drejtësisë”.

“Harta e re gjyqësore, referuar standardeve evropiane, zbatimit të ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi dhe gjendjes së sistemit të drejtësisë, krijon balancën e duhur mes aksesit të qytetarëve te drejtësia dhe efiçencës së sistemit gjyqësor”, deklaroi ministri për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Harta e re

Viti që u la pas u mbyll me një propozim të rëndësishëm sa i përket Gjyqësorit dhe Reformës në Drejtësi.

Ministria e Drejtësisë në Shqipëri, së bashku me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), prezantuan Hartën e Re Gjyqësore.

Ky projekt parashikonte shkrirjen e 10 gjykatave, duke e çuar kështu numrin total të atyre të Shkallës së Parë nga 22 në 12.

Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, teksa prezantoi propozimin, u shpreh se koncepti është që të ketë më pak gjykata dhe më shumë cilësi.

Por ky koncept – edhe pse u miratua nga KLGJ – për kreun e Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena, dhe jo vetëm, nuk do të sjellë përfitime reale për qytetarin e thjeshtë.

Për Albanian Post, ai tregon se, shkurtimi i 19-të Gjykatave në rang vendi, largon qytetarin nga Gjykata.

“Ky proces detyron qytetarin nga Shkodra, Tropoja, Kukësi, Korça, Pogradeci, Berati dhe shumë qytete të tjera të shkojnë nga skajet më të largëta të vendit në mes të Tiranës”, shprehet Lena.

Kështu, sipas tij, qytetarët mund të detyrohen që, përpos shpenzimeve të udhëtimit, të qëndrojnë edhe në Tiranë, nëse kanë një seancë gjyqësore.

Kreu i Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se kjo hartë do të afrojë Gjykatat me njeriun, do të rrisë cilësinë dhe do të përdoren më së miri edhe burimet publike.

“Edhe në nivel Apeli, nisur nga lëvizjet demografike, 90% e qytetarëve do të kenë askes në Apelin e Tiranës”, u shpreh ai.

Në atë mbledhje, ky model u cilësua si përafrim me ato perëndimoret.

Për avokat Lenën, ky krahasim është tejet i pavend.

“Krahasimi i vendit tonë me shtete si Suedia, Danimarka, Norvegjia apo Anglia, është tërësisht i pavend, pasi në këto vende, përveçse është ulur numri i Gjykatave, është ulur edhe numri i burgjeve”, thotë ai.

Më tej, ai shprehet se këto vende, kanë një superinfrastrukturë rrugore dhe hekurudhore që bashkon në një kohë shumë të shpejtë skajet më të largëta të tyre.

Por kjo nuk mund të thuhet për Shqipërinë, “ku një udhëtim në periudhën e verës në Tiranë merr të paktën tri orë ose katër”.

Ulja e kostos

Një pikë tjetër që Dhoma e Avokatisë nuk bie dakord, është edhe ulja e kostos.

Në deklaratë shkruhet se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizmit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Por, avokati shprehet se ulja e kostove, të pretenduara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe KLGJ-së, është përsëri një arsyetim i padrejtë.

“Kjo pasi mund të ulë kostot nga njëra anë, por nga ana tjetër detyron transportimin e të dënuarve, të arrestuarve, personave në arrest në shtëpi, personave që Gjykata, duke rritur shpenzimet dhe kostot në buxhetin e shtetit”, thotë ai për AP-në.

Lena më tej argumenton se efikasiteti dhe eficienca është përsëri pa asnjë pasojë.

Kjo pasi i njëjti gjyqtar, që mund të gjykojë në një Gjykatë, të njëjtin gjykim mund ta bëjë edhe te një tjetër.

“Një gjyqtar në Tiranë, nuk është super-gjyqtar krahasuar me faktin nëse ai gjykon në një rreth tjetër”, thotë ai.

Ky qëndrim është mbajtur edhe nga vetë Dhoma e Avokatisë, e cila ka argumentuar se arsyet që MD-ja dhe KLGJ-ja pretendojnë se, justifikojnë Hartën e re Gjyqësore, janë të pabazuara në fakte dhe studime shkencore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore