Shqipëria

Avokatët e Ahmetajt rekurs në Gjykatën e Lartë për sekuestron e vilës në Palasë


Avokatët e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj – Ardian Vishaj, Henrik Ligori dhe të ish bashkëshortes së tij – kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për sekuestron e vilës në Palasë.

Kërkesës i është bashkangjitur edhe avokati i shtetases zvicerane në emër të së cilës ndodhet prona në Palasë.

Bëhet fjalë për urdhërimin numër 62 të Gjykatës se Posaçme të Apelit dhe vendimit numër 137 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë.

Referuar avokatëve është e padrejtë që të sekuestrohet një pronë që nuk është në pronësi të Ahmetajt dhe as të ish bashkëshortes së tij që pretendon se e ka pasur thjeshtë në përdorim.

Gjykata e Lartë më parë ka rrëzuar rekursin e heqjes së sekuestros së vilës në Hamallaj që është në emër të bashkëjetueses së tij, Erjola Hoxhaj.

Vila në zonën e Palasës u sekuestrua nga Prokuroria e Posaçme SPAK, ku dyshohet se ajo është pronë e ish-bashkëshortes së Ahmetajt, i cili po hetohet lidhur me çështjen e njohur si “Inceneratorët”.

Vila e vënë nën sekuestro është e njëjta ku u kryen kontrolle më 9 mars dhe për të cilën ish-gruaja e Ahmetajt, nuk ka pranuar se është në pronësinë e saj.

Po ashtu, veprime hetimore janë kryer nga ana e Byrosë Kombëtare të Hetimit sërish, si edhe të përfshirë në aksion kanë qenë edhe efektivë të Policisë së Vlorës.

Ndërkohë që, siç mëson Albanian Post, disa dokumente janë sekuestruar gjatë këtij aksioni të ri, me urdhër të SPAK.

Vetë Ahmetaj, më parë, ka kërkuar nga Apeli i Gjykatës së Posaçme, të shpallë si të kundërligjshëm vendimin për të kontrolluar banesat e ish-gruas së tij, apo të partneres aktuale.

Kjo pasi “nuk është marrë leje nga Kuvendi duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty”.

Sipas Ahmetajt, bashkëjetuesja nuk është informuar paraprakisht për të pasur praninë e një mbrojtësi ligjor.

Ishte SPAK që bëri me dije disa ditë më parë se Arben Ahmetaj po hetohet më vete në rastin e njohur si çështja e inceneratorëve.

Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete.

Madje, në dosjen ndaj tij, është ndryshuar edhe prokurori hetues, ku më parë ka qenë Klodjan Braho, i cili është zëvendësuar me kërkesën e vetë atij nga prokurorja Enkeleda Millonaj.

Kjo gjë është bërë me vendimin e vetë drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, më 30 janar 2023.

“Prokuroria e Posaçme kundërshton çdo tentativë për intimidim dhe sulme personale ndaj prokurorëve të posaçëm që synon t’i kufizojë ata nga kompetenca dhe përgjegjësia e tyre për të ushtruar ndjekjen penale sipas Kushtetutës dhe ligjit”.

Ky është një tjetër paralajmërim që SPAK bën përmes njoftimit, duke ftuar edhe këdo që ka pretendime për veprime proçedurale, që t’i drejtohet organeve kompetente, si Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore