Lajme

Avni Llumnica dënohet me 4 vjet burgim në rastin “Syri i Popullit”


Njëra nga seancat në rastin “Syri i Popullit”.

Avni Llumnica është shpallur fajtor në rastin e tentim-vrasjes së Azem Vllasit.

Llumnica, është shpallur fajtor për ndihmë në vrasje të rëndë e mbetur në tentativë të Vllasit, ai u dënua me 4 vjet e 6 muaj.

Ky aktgjykim është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli.

Ai dhe Murat Jashari ishin arrestuar nën akuzat se kanë qenë pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, e cila e mori përgjegjësinë për tentim-vrajsen e Vllasit.

Ndërkaq, në seancën e fundit e cila ishte mbajtur më 8 nëntor, prokuroria dhe pala e dëmtuar kërkuan dënimin e të akuzuarve me pretendime se të gjitha faktet vërtetojnë se veprat penale janë kryer siç përshkruhen në aktakuzë, raporton ‘Betimi për Drejtësi’. 

Kurse, Sadri Ramabaja është liruar nga aktakuza pasi nuk është arritur të vërtetohet kryerja e veprës penale.

Kurse, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kanë kërkuar lirimin dhe shpalljen të pafajshëm e nuk është vërtetuar pretendimi i prokurorisë për veprat penale.

Në tetor të 2021, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte kërkuar që edhe ish-prokurori special, Sylë Hoxha të thirret në përgjegjësi penale.

Kjo pas raportimeve se Hoxha, së bashku me ish-drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të rrejshme në rastin “Syri i Popullit”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-prokurori special, Sylë Hoxha

Ministrja Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, kishte thënë se “pas skandalit të Sylë Hoxhës kundrejt Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, le ta kujtojmë edhe faktin që Sylë Hoxha ishte prokuror edhe në rastin e Astrit Deharit”.

“Është koha që ky person të thirret para përgjegjësisë penale”, kishte shkruar ajo.

Mirëpo menjëhershëm ka qenë reagimi i Hoxhës, i cili kishte mohuar dyshimet për marrëveshje gojore mes tij dhe ish-drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, për të përfshirë dy agjentë fiktivë që të dëshmojnë në gjykatë.

Ndryshe ky rast është i njohur me emrin “Syri i Popullit” kishte filluar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore