Lajme

Avioni misterioz nga Lituania fluturoi në 6 vende të NATO-s pa leje


Në Lituani, policia po përcakton rrethanat e fluturimit të një avioni misterioz.

Ky i fundit ka fluturuar pa leje në hapësirën ajrore të gjashtë vendeve anëtare të NATO-s.

Lajmi u bë i ditur nga portali vendas LRT, përcjell Albanian Post.

Të enjten në mbrëmje, autoritetet bullgare njoftuan se një avion i vogël ishte nisur nga Lituania.

Ai fluturoi mbi disa vende të Evropës Lindore pa leje, duke tërhequr vëmendjen e forcave ajrore.

Një ekip i panjohur u largua nga avioni pas uljes në Bullgari.

Ministri i Brendshëm bullgar Bojko Rashkov u tha gazetarëve se avioni u ngrit nga Lituania dhe fluturoi pa leje mbi Poloni, Sllovaki, Hungari, Serbi, Rumani dhe më në fund arriti në hapësirën ajrore bullgare.

Në total, avioni fluturoi rreth 1 mijë e 600 kilometra.

Një zëdhënës i departamentit të policisë, Ramunas Matonis, deklaroi për agjencinë bullgare “BNS” se një hetim paraprak për rastin nuk ka filluar ende dhe “rrethanat janë duke u sqaruar”.

Mësohet se në avion ndodheshin dy persona.

Ata nuk kishin një plan fluturimi të miratuar, transponderët e avionit ishin të çaktivizuar.

Piloti nuk iu përgjigj pyetjeve të radios dhe sinjaleve vizuale. Në Hungari dhe Rumani, avioni për në Bullgari shoqërohej nga luftarakë.

Air Navigation i tha BNS-së se nuk kishte marrë plane fluturimi për 90 ditët e fundit dhe se ekuipazhi i avionit nuk kishte kontaktuar me operatorët.

Sipas portalit LRT, ky avion i tipit “Piper PA-23-250 Aztec” është shitur javën e kaluar nga drejtori i Aeroportit Nida, Bronius Zaronskis.

Megjithatë, ai pretendon se nuk e di se kush kanë qenë blerësit.

“Ata nuk ishin lituanianë. Nuk mund të them se nga cili vend janë – ndoshta ukrainas, ndoshta rumunë apo bullgarë. Ne folëm me një person në rusisht. (…) Nuk i di emrat e njerëzve, unë nuk ka qenë i interesuar”, deklaroi ai për portalin LRT.lt.

Sipas Zaronskis, avioni është blerë nga një organizatë.

Ai shtoi se avioni ishte me gjashtë ulëse dhe se njerëzit që e blenë ishin miqësorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore