Kosova

Avdyli zgjidhet nënkryetar i Guxo


Haxhi Avdyli, është zgjedhur nënkryetar i partisë Guxo.

Avdyli përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se anëtarët të Kryesisë së re të Partisë Guxo në mënyrë unanime ia kanë besuar detyrën e nënkryetarit të Partisë.

“Ju faleminderit për dhënien e përgjegjësisë së re që do jetë stimul shtesë për punë edhe më intensive për të mirën e vendit”, ka shkruar Avdyli.

Më 7 shtator, Donika Gërvalla dhe Faton Peci janë zgjedhur kryetarë të ri të partisë Guxo.

Sipas statutit të ri të partisë, pritet që dy kryetarët të kenë kompetenca të barabarta, derisa ky model është praktikuar në Gjermani dhe në disa shtete skandinave që kryesimin e partisë ta kenë dy persona.

Para fillimit të Kuvendit, Peci ka thënë për Albanian Post se po ndihet “komod” edhe pas lajmit se deputetja e tyre Doarsa Kica-Xhelili, do të largohet nga partia dhe grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në drejtim të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Mundet me pas pakënaqësi apo mendime të ndryshme”, tha Peci, “por ajo që ne jemi kuriozë ta kuptojmë është të dimë cilin nga premtimet e dhëna publikisht nuk jemi duke e mbajtur”.

“Kjo është pjesa e preokupimit tonë që do na bënte të ndjeheshim keq, prandaj ne jemi shumë komod”.

Sa për vetë deputeten refuzoi të jap një koment të plotë, meqë, siç tha, “ne ende nuk kemi ndonjë konfirmim të saktë, ka përfolje në nivel të mediave”.

“Ne do të kemi reagimin tonë në momentin kur deputetja në fjalë e bën të qartë pozicionin e saj”.

Lista Guxo, parti politike e formuar nga Vjosa Osmani, pak para zgjedhjeve të fundit, pas shkëputjes nga LDK, po mban Kuvendin e Parë Zgjedhor, por pa vetë Osmanin, e cila si presidente s’ka të drejtë të udhëheqë edhe parti politike.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore