Kosova

Avdyli: Grupet ekstremiste serbe po planifikojnë të sulmojnë veturat me targa RKS


Deputeti i Kosovës nga radhët e Listës Guxo, Haxhi Avdyli, ka apeluar për kujdes qytetarët e Kosovës që planifikojnë të vozisin në rrugët e Serbisë me targa RKS, meqë sipas tij, grupet ekstremiste serbe u kanë bërë apel vozitëse serbë me targa RKS që të vendosin shenja dalluese dhe se qëllimi i tyre është “që t’i sulmojnë veturat me targa RKS”.

“Kujdes: Nëpër rrjetet sociale serbe, grupet ekstremiste serbe, të indinjuara që makinat që do hynë në Serbi me shenja të shtetit të Kosovës, kanë filluar me të madhe të bëjnë apel që shoferët Kosovar me përkatësi serbe, të vendosin shenja dalluese në makina e tyre si flamuj, kryqe apo ikona Serbe që të dallohen që janë Serb”, ka shkruar Avdyli në Facebook.

Po ashtu ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që kalojnë neper Serbi me targa RKS që të mos ndalohen në vendet ku ka grumbullime njerëzish, të mos ndalin makinat kur ndalohen nga persona civil, dhe të mos ndalin makinat nëse sulmohen nga grupe ekstremistësh skaj rrugëve apo ndalesave pranë autostradave.

“Diçka po ziejnë, psikopatët ekstremist Serb prandaj duhet vëmendje”, ka shtuar deputeti Avdyli.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, në fund të dhjetorit njoftoi se ekzekutivi serb ka marrë vendim që mundëson lirinë e lëvizjes për të gjitha automjetet nga Kosova, që ka qenë obligim i saj sipas Marrëveshjes së vitit 2011 të arritur mes palëve në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria do të marrë vendim për t’i lejuar targat e Serbisë, pasi që Policia e Kosovës të sigurohet se Serbia po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që targat RKS të qarkullojnë lirshëm në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore