Lajme

AUV me njoftim pa asnjë dokument: Thotë se mishi i Brazilit i shitur për mish të Kosovës është mish i Kosovës?


Foto nga storia

Përkundër se e dëshmuar me video se si një nga pronarët e Kompanisë “Apetit” në Kosovë, pranon se mund të falsifikojë dokumente dhe mishin e Brazilit ta shes si mish të Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dalur me një njoftim ku thuhet se kanë kuptuar se mishi ishte nga Kosova e jo nga Brazili.

Megjithatë, bashkë me njoftimin nuk janë publikuar dokumente që mbështesin hulumtimin që thuhet në njoftim se është bërë në këtë rast.

Lajmi fillimisht u bë i ditur nga një emision hulumtues në Shqipëri me emrin “Stop”, ku përmes kamerës së fshehur dëshmohej se si mishi i Brazliti paketohej si mish i Kosovës dhe shitej si eksport nga kjo fabrikë.

Në video, një nga pronarët e kompanisë, i pranon gazetarit se ai mund ta ndryshojë vendin e origjinës së mishit dhe t’ia falsifikojë, duke ia shitur si mish Kosove.

Përkundër kësaj, pas disa javësh, AUV ka dalur me njoftim se gjithçka ishte në rregull me mishin.

“Nga rezultatet e gjurmueshmërisë dhe auditimit ka rezultuar që certifikimi i eksportit në Shqipëri është realizuar në përputhje me legjislacionin përkatës dhe praktikat e aplikuara për këtë qëllim ndërsa AUV si autoritet kompetent ka vepruar ligjërisht sipas vlerësimit të rrezikut, diskrecionit dhe kompetencave të tij”, thuhet në njoftimin e AUV.

“Dërgesa e produktit mish gjedhi i ngrirë 1,000.00 kg/neto (një mijë), e certifikuar nga AUV me datë 18.03.2024 dhe dërguar në Shqipëri më datë 19.03.2024, të cilës ju ka referuar emisioni ‘STOP’, rezulton nga kafshët e therrura në Kosovë”, pohohet në njoftim, por pa sqaruar askund se si u dëshmua se ishte nga kafshët e therura në Kosovë.

Pjesa ku kuptohet se njoftimi i AUV është krejtësisht i paqartë është ajo ku thuhet se “gjatë inspektimeve zyrtare për produktet me origjinë nga Kosova të subjektit ekonomik përkatës, nuk është gjetur ndonjë parregullsi e cila do të mund të kishte ndonjë ndikim në sigurinë ushqimore”.

Por, në fakt inspektimi për këtë rast do të duhej të fillonte dhe mbaronte nga një moment i vetëm: certifikata e veterinarit me datën kur ka ndodhur therrja dhe më pas shikimi i mostrave të mishit se a e kanë vulën me datë të njëjtë.

Në njoftim më pas thuhet se “sa i përket çështjes së pretendimeve për evazion fiskal të subjektit ekonomik, është çështje e cila del përtej kompetencave zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës dhe me te njëjtën çështje janë duke u marre autoritetet tjera përkatëse”.

Përndryshe kompania Apetit, e cila u gjet duke eksportuar mish Brazili për mish të Kosovës, është kompani që furnizon afër 30 institucione të Kosovës me mish lope dhe pule.

Kjo kompani ka të fituar pothuajse shumicën e tenderëve të shtetit për furnizim me mish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore