Kosova

Autoudha që lidhë Kosovën me Serbinë nis të ndërtohet në mesin e këtij viti


Ndërtimi i Autoudhës së re që do të lidhë Kosovën me Serbinë nis të ndërtohet këtë vit.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, e ka konfirmuar se udha Prishtinë – Merdare e njohur ndryshe si “Autostrada e Paqes” do të fillojë të ndërtohet në mesin e këtij viti.

“Përkundër që kemi proces zgjedhor, financimi do të aprovohet”, ka thënë Abrashi në një prononcim me shkrim për Albanian Post.

“Synojmë qysh në pranverë – sepse duhet të ketë edhe marrëveshje të re ndërkombëtare financiare që duhet të kalojë në Kuvend – të mbyllim këtë marrëveshje, në mënyrë që të fillojnë procedurat për ndërtimin e autostradës diku në mes të këtij viti”, tha Abrashi.

Ndërtimi i autostradës është një nga projektet e përfshira në marrëveshjen për normalizim ekonomik të nënshkruar më katër shtator në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, kreu i kësaj ministrie foli edhe për projektin tjetër për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore që do ta lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe Serbinë.

“Te hekurudha kemi kërkuar nga Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së (DFC) të fillojë zyrtarisht të identifikojë ekipet që do të bëjnë studimin e fizibilitetit për hekurudhën nga Merdarja deri në Durrës”.

“Për të ndihmuar këtë proces, ne kemi nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë”, potencoi Abrashi.

Ai shtoi se në Kosovë pritet të vijë një zyrtar i Korporatës Financiare për Zhvillim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ta lehtësuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore