Shqipëria

Autoriteti i Konkurrencës nis hetimin edhe për tregtimin e vajit


Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim për nëntë ndërmarrjet në Shqipëri, të cilat merren me importin, prodhimin dhe shitjen me shumicë të vajit vegjetal.

Përkatësisht, në bazë të vendimit 870, në hetim janë “Agro Blend shpk”, “Bomira shpk”, “Devi 20 – Grup shpk”, “Eqerem – 934 shpk”, “Ferra&Co shpk”, “GLOBCOM shpk”, “Kriket-1 shpk”, “Teuta Durrës shpk” dhe “PDF shpk”.

Paraprakisht në njoftimin e tij theksohej fakti që hetimi kishte nisur muaj më përpara nga periudha 1 tetor 2020 deri më 20 maj 2021.

Gjatë kësaj periudhe hetimore tetë mujore, u përcaktua se, “tregu përkatës i produktit përfshin: (i) Tregun e Importit të Vajit Vegjetal; (ii) Tregun e Prodhimit/Ambalazhimit të Vajit Vegjetal; (iii)Tregun e Shitjes me Shumicë të Vajit Vegjetal. Tregu përkatës i produktit është vaji i lulediellit”.

Nga analiza e tregut të shitjes me shumicë për këtë periudhë, rezultoi se, “është një treg mesatarisht i përqendruar me një HHI në vlerën 1 mijë e 506, ku PDF ka 24%, Devi – 20 GRUP ka 18%, GLOBCOM ka 18%, Bomira ka 11%, Ferra&Co ka 9%, Kriket-1 ka 6%, Eqerem-934 ka 6% dhe Teuta ka 2%”.

“Pjesët e tregut të ndërmarrjeve në tregun me shumicë janë më të vogla krahasuar me tregun e importit, duke qenë së tregu me shumicë zmadhohet duke bërë pjesë edhe prodhuesit/ambalazhuesit e vajit vegjetal”, thuhej në njoftimin e Autoritetit, duke bërë me dije rezultatin e hetimit për ato tetë muaj.

Autoriteti i Konkurrencës me urdhrin nr. 190 prot., i datës 11 mars të këtij viti -2022- dhe urdhrin nr. 190/2 prot., datë 16 mars të po këtij viti vendosi sërish nën monitorim tregun e tregtimit të vajit vegjetal (shumicë dhe pakicë).

TEUTA DURRES - SuperNet.al

Nga hetimi paraprak rezultoi se, gjatë monitorimit në tregun e shumicës të vajit vegjetal pranë ndërmarrjeve Agro Blend SHPK dhe Ferra&Co SHPK, është konstatuar se çmimet për produktin e vajit vegjetal kanë pasur rritje gjatë vitit 2022.

Gjatë monitorimit të tregut të pakicës për vajin vegjetal rezultoi se për markat Gold (Teuta), Diamond (Agro Blend), King (Ferra&CO), Floriol (Devi-20 Grup) çmimi gjatë periudhës shkurt-mars ka pasur trend rritës.

Konkretisht vaji Gold shitet me 329 lekë me TVSH, Diamond me 335 lekë me TVSH, King me 315 lekë me TVSH dhe Floriol me 319 lekë me TVSH.

Nga informacioni i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për periudhën 1 janar 2022 – 11 mars 2022, ndër të tjera u konstatua se çmimi mesatar mujor i importit në muajin janar 2022 ka qenë në vlerën 199.23 lekë/litri dhe në mars 2022 është rritur në vlerën 208.54 lekë/litri.

Teuta

Çmimi i vajit vegjetal rezultoi se është rritur gati me 7.5% nga muaji shkurt 2022.

Për sa më sipër, rezultoi se rritja në të njëjtën kohë për periudhën janar-mars 2022 e çmimit të shitjes së vajit vegjetal nga ndërmarrjet “Agro Blend shpk”, “Bomira shpk”, “Devi 20 – Grup shpk”, “Eqerem – 934 shpk”, “Ferra&Co shpk”, “GLOBCOM shpk”, “Kriket-1 shpk”, “Teuta Durrës shpk” dhe “PDF shpk”, mund të bjerë në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, në kuptim të një marrëveshje të ndaluar apo sjellje të bashkërenduar të këtyre ndërmarrjeve.

Komisioni i Konkurrencës, bazuar në nenin 4, nenin 24, shkronja (d), nenin 26 dhe nenin 43 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, vendosi Hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj “Agro Blend shpk”, “Bomira shpk”, “Devi 20 – Grup shpk”, “Eqerem – 934 shpk”, “Ferra&Co shpk”, “GLOBCOM shpk”, “Kriket-1 shpk”, “Teuta Durrës shpk” dhe “PDF shpk” në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal.

Hetimi i thelluar përfshin periudhën kohore nga 20 maj 2021, deri më 18 mars 2022.

Kujtojmë se, për shkak të rritjes së beftë të çmimeve të produkteve të shportës, si dhe të naftës, benzinës dhe gazit, shoqëria civile ka dalë në protestë.

Ata kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore