Lajme

Australia tërhiqet nga gjuha “shqetësuese” e ambasadorit kinez për Tajvanin


Askush nuk duhet të habitet nëse ka një konflikt ushtarak midis Kinës dhe Tajvanit.

Kështu ka pohuar udhëheqësi liberal dhe ish-ministri australian i Mbrojtjes Peter Dutton.

Në vazhdën e një fjalimi tronditës nga ambasadori kinez në Australi, në të cilin Xiao Qian ka thënë se Kina nuk do të ndalej para asgjëje për të rimarrë Tajvanin, Dutton ka pasuar se partia komuniste kineze kishte qenë “shumë e qartë” në qëllime.

Tajvanin, Kina e konsideron si një provincë të shkëputur që duhet të ribashkohet me kontinentin, duke përdorur forcën nëse është e nevojshme.

Xiao ka thënë se nuk do të kishte “kompromis” për politikën e vetme për Kinën.

Kina, e cila po vazhdon sjelljen kërcënuese ushtarake në rajon pasi kryetarja e dhomës së SHBA-ve Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin, dëshironte një “ribashkim paqësor”.

“Por ne nuk mundemi, nuk mund të përjashtojmë kurrë opsionin për të përdorur mjete të tjera, kështu që kur është e nevojshme, kur jemi të detyruar, ne jemi të gatshëm të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme”, ka vijuar ai.

Qeveria federale e Australisë ka kërkuar vazhdimisht përmbajtje dhe qetësi.

Dutton ka thënë se “duhet të jemi shumë të sinqertë në lidhje me kërcënimin që është atje”.

“Këtu nuk kërkohet imagjinatë. PKK ka qenë shumë e qartë për qëllimin e vet në lidhje me Tajvanin”, ka shtuar.

Ai e ka krahasuar armiqësinë e Kinës me atë të Rusisë përpara se të pushtonte Ukrainën, në kuptimin që shumë njerëz nuk besonin se konflikti do të ndodhte në të vërtetë.

Më herët ka folur edhe ish-kryeministri Kevin Rudd.

Ai ka treguar se ishte “thellësisht i shqetësuar” për konfliktin e mundshëm ushtarak në vitet e ardhshme, pasi presidenti i Kinës, Xi Jinping, vendosi një afat për ribashkimin me Tajvanin.

Sipas Rudd, është e pashmangshme që nëse Kina “merr me forcë” Tajvanin, të përdorte “të njëjtat taktika shtypëse të përdorura në kontinent në vitin 1949 dhe së fundmi në Hong Kong”.

Në të dyja këto raste, “taktikat e shtypjes” ishin të dhunshme dhe vdekjeprurëse.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore