Aplikacione

Australia planifikon një rishikim të privatësisë pas rrjedhjes së të dhënave të Optus-it


Australia do të rishikojë rregullat e privatësisë për të lejuar bankat të informohen për shkeljet e të dhënave në botën e korporatave.

Lëvizja vjen pas një rrjedhjeje të madhe të informacionit personal nga kompania e dytë më e madhe e telekomunikacionit në vend.

Kryeministri Anthony Albanese ka treguar se hakerimi i Optus-it ishte një “thirrje e madhe zgjimi” që kërkonte reforma që do të paralajmëronin institucionet financiare për sulmet kibernetike dhe do t’i lejonin ato të “mbronin klientët e tyre”.

Me ndryshimet e planifikuara, bizneseve do t’u kërkohet të njoftojnë bankat për shkeljet e të dhënave që përfshijnë klientët, në mënyrë që huadhënësit të mund të monitorojnë llogaritë e tyre për aktivitete të dyshimta.

Sakaq, ministrja Clare O’Neill e sigurisë kibernetike ka thënë se detajet se çfarë “hapash duhet të ndërmerren në të ardhmen” do të njoftohen në ditët në vijim.

Javën e kaluar, Optus ka zbuluar se të dhënat personale të dhjetë milionë përdoruesve mund të jenë komprometuar pas një prej shkeljeve më të mëdha të të dhënave në historinë australiane.

Dhe se informacioni i komprometuar përfshin emrat, adresat, datat e lindjes, numrat e telefonit, adresat e email-it dhe numrat e patentës së shoferit dhe pasaportës.

Sakaq, një haker i vetë-identifikuar që atëherë ka postuar mesazhe në internet duke kërcënuar se do të ekspozojë informacionin e marrë nga rrjedhja.

Këtë, nëse Optus nuk paguan një shpërblim prej një milion dollarë në kriptomonedhë.

Megjithëse kompania nuk e ka identifikuar se kush qëndron pas sulmit kibernetik, ka thënë se adresa IP e sulmuesit mund të gjurmohet në një numër vendesh në Evropë.

Rasti i Optus-it është i fundit në një varg sulmesh kibernetike këtë muaj që përfshijnë kompanitë kryesore, si Samsung, North Face, American Airlines dhe Uber.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore