Lajme

Auditorja e ZKA-së: 129 punonjës serbë u paguan 800 mijë euro pa shkuar fare në punë


Tre muaj pasi kishte raportuar Albanian Post se Qeveria e Kosovës nga buxheti i shtetit i ka paguar qindra serbë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” apo e njohur si “Civilna Zastita”, Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka konfirmuar se 129 punonjës të komunitetit serb janë paguar 800 mijë euro pa fare shkuar fare në punë.

“Kryerja e pagesave në vlerë prej afër 800 mijë euro për punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të Marrëveshjes se Brukselit pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë; Në krahasim më vitin e kaluar janë ndërmarrë disa masa. Nga 199 sa ishin në vitin e kaluar, këtë vit kanë mbetur 129 punonjës të shpërndarë në katër ministri”, tha Spanca.

Siç kishte raportuar AP, punonjësit serb ishin akomoduar në pozicione të ndryshme në Qeverinë e Kosovës dhe merrnin paga varësisht nga koeficienti i pozitës, sipas ligjit në fuqi, por shumica absolute e tyre asnjëherë nuk kishin kryer funksionet për të cilat ishin angazhuar.

Pagat po ashtu asnjëherë nuk u ndalën dhe vazhduan të jepeshin edhe kur zyrtarisht “Civilna Zastita” është shpallur organizatë terroriste.

Në vitin 2015 dhe 2016 në institucionet e Kosovës ishin rekrutuar plotë 483 pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, bazuar në marrëveshjen e Brukselit, kur Serbia formalisht kishte rënë dakord që kjo organizatë të shuhej.

Pjesëtarët e organizatës terroriste të shpallur nga Qeveria e Kosovës ishin rekrutuar në nëntë ministri dhe 11 agjenci shtetërore.

Skandal: Qeveria e Kosovës financon me miliona euro organizatën terroriste “Civilna Zastita”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore