Lajme

Auditimi: 58 punonjës në RTK ishin liruar nga evidentimi për vijueshmërinë në punë


Radio Televizioni i Kosovës.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të enjten 2 qershorit, ka publikuar Raportin e Auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) për vitin 2021 si dhe Raportin e auditimit të performancës me temën “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”.

Në këtë raport janë gjetur mungesë evidencash për vijueshmërinë në punë të stafit në Radio Televizionin e Kosovës.

Përmes një vendimi të datës 15 gusht të vitit 2016, i marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e RTK-së janë liruar nga evidentimi ditor 58 persona, duke përfshirë udhëheqës të ndryshëm, menaxherë të njësive të ndryshme, kryeredaktorë dhe menaxhmentin e lartë.

“RTK, të vetmin instrument për evidentim në punë që e posedon është sistemi elektronik i vijueshmërisë, ndërsa për personat që i ka liruar nga evidentimi, nuk posedon një mekanizëm tjetër që dokumenton vijueshmërinë e tyre në punë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Për tetë punëtorë nuk është pranuar asnjë dëshmi se ata kanë punuar gjatë vitit 2021, ndërsa thuhet se kostoja e pagave bruto për këta tetë punonjës është 64 mijë e 630 euro, shumë kjo e cila është paguar.

15 punonjës nuk janë evidentuar në punë nga 10 deri në 12 muaj të vitit të kaluar, ndërsa prej tyre në shtatë raste është pranuar konfirmimi nga mbikëqyrësit e tyre se ata kanë punuar gjatë gjithë vitit, kurse për tetë jo.

Radio Televizioni i Kosovës.

126 punonjës të rregull të televizionit publik nuk kanë poseduar kartelë elektronike për evidentimin e tyre në punë, kjo me arsye të ndryshme njëra ndër to edhe se RTK nuk kishte prodhuar kartela të tjera rezervë për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.

Gjithsej, RTK ka 763 punonjës të rregullt.

Sipas Auditorit, të gjitha këto probleme vinë nga ana e menaxhmentit pasi nuk ka marrë vendime të duhura dhe nuk ka bërë kontrollime më të shpeshta të brendshme.

“Kontrollet e dobëta në evidentimin e të punësuarve për vajtje-ardhje në punë dhe nxjerrja e vendimeve pa ndonjë bazë të qartë juridike, mund të shkaktoj pagesa të parregullta dhe dëmtim buxheti, si dhe të dekurajojë pjesën tjetër të stafit e cila vijon punën në baza të rregullta”, thuhet në raport.

Auditimi i Pasqyrave Vjetore Financiare të RTK-së për herë të fundit nga ZKA-ja ishte kryer në vitin 2010.

Që nga ky vit auditimi i PFV-ve të RTK-së është kryer nga një auditor i jashtëm, të cilin RTK-ja e ka përzgjedhur me procedura të prokurimit.

Ndryshe, raporti i fundit i auditimit të performancës së RTK-së nga ZKA-ja ishte publikuar në vitin 2015.

Në kuadër buxhetit për vitin 2022, Qeveria ka ndarë 8 milionë e 960 mijë euro buxhet total për RTK-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore